Grupi i “TikTok”-ut që shpërndante drogë në lokalet e Durrësit del para togave të zeza (Foto)
Gjykata e Durrësit ka lënë në burg 7 nga 8 personat e arrestuar dy ditë më parë në Durrës dhe Sukth. Dy grupet kriminale sipas policisë u kapën në kuadër të një opercioni kundër drogërave të forta, ndërsa gjatë kontrollit u gjetën lëndë narkotike dhe shuma të mëdha parash.
Gjykata e Durrësit la në burg 7 nga 8 personat e arrestuar dy ditë më parë si anëtarë të dy grupeve kriminale që shpërndanin drogë në Sukth dhe në Shijak.
Kristel Balla ishte i vetmi që u nxor nga qelia nën masën detyrim paraqitje, ndërsa arrest me burg u vendos për Gentian Gonesha, Stivens Bulku, Ergi Curri, Alban Vela, Amonali Vogli , dhe Tani e Goni Muça.
8 të arrestuarit i përkasin dy grupeve kriminale që shpërndanin droga të forta në Durrës e Sukth.
Rolet
Sipas policisë së Durrësit, operacionet ishin rezultat i një hetimi 6 mujor.
Sipas policisë Gon Muça ishte rolin e furnitorit me lëndë narkotike kokainë, për këta shtetas, të cilët, pasi e blinin atë, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, e shpërndanin në zonën e Sukthit dhe të Durrësit, si dhe në lokalet e natës, në qytetin e Durrësit.
Për ndarjen e lëndës narkotike, ata kishin përshtatur ambiente të posaçme në lokalet e tyre, konkretisht në lokalin e shtetasit Gon Muça, në zonën e Sukthit, dhe në lokalin e Ergi Currit, në një lagje në Durrës.
Gjatë operacioneve u sekuestruan në cilësinë e provës materiale 1 pako me kokainë, me peshë 130 gramë; 40 doza me lëndë narkotike të llojit kokainë; 3 automjete, 2 prej tyre luksoze, 96 mijë lekë të rinj dhe disa shuma në euro, franga dhe paund, 3 peshore elektronike që shërbenin për peshimin dhe ndarjen e lëndës narkotike në doza të vogla, 1 dorezë hekuri dhe 14 aparate celulare.
Çfarë u sekuestrua?
– 1 pako me kokainë, me peshë 130 gramë;
– 40 doza me lëndë narkotike të llojit kokainë;
– 3 automjete, 2 prej tyre luksoze;
– 96 mijë lekë të rinj dhe disa shuma në euro, franga dhe paund;
-3 peshore elektronike që shërbenin për peshimin dhe ndarjen e lëndës narkotike në doza të vogla, 1 dorezë hekuri dhe 14 aparate celulare.
Të gjithë personat po hetohen nën akuzën e “Përshtatja e lokalit për përdorim droge”, “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, kryer në bashkëpunim, dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja e armëve të ftohta”.


