Përkujtohet eksodi masiv “Bllaca 99”, dëshmitarët e kohës rrëfejnë tmerrin që përjetuan

24 vite pasi forcat serbe detyruan shqiptarët e Kosovës të shpërngulen drejt maqedonisë është mbajtur manifestimi “Eksodi Bllaca 99”, ku dëshmitarët e kohës kanë treguar tmerrin e atyre ditëve, si edhe janë nderuar ata që i ndihmuan.

Kanë kaluar 24-vite nga eksodi i shqiptarëve të Kosovës, që u detyruan nga forcat serbe të shpërnguleshin në Maqedoni.

Për ta shënuar këtë ditë, në Han të Elezit, u mbajt manifestimi “Eksodi Bllaca 99”, ku u nda edhe çmimi “Hasan Prishtina” për institucione të shtetit fqinj që u erdhën në ndihmë shqiptarëve të Kosovës.

Dëshmitarë të kohës tregojnë edhe tmerrin e përjetuar, një prej tyre është edhe Nazife Grajqevci.

 “Ne kur kemi ardhur në Bllacë jemi mërzitur shumë me fëmijë e burrë, nuk kemi qenë në dijeni se ku janë shku familja, populli në përgjithësi ka hekë keq. Këtu më kujtohet ky lum sepse kishim frikë se po na bie ndonjë fëmijë e na mbytet”.

E fotografia e nënës nga Kosova me foshnjën në duar, e shkrepur në vitin 1999 gjatë rrugëtimit të kolonave me njerëz drejt kampit të Bllacës në luftën e Kosovës, u shndërrua në simbol të luftës dhe sakrificës.

Në 24-vjetorin e eksodit të shqiptarëve të Kosovës, Sherife Luta ka treguar vuajtjet e refugjatëve kosovarë, derisa thekson se momenti më i vështirë ka qenë t’i kthehet shpina atdheut.

Po ashtu, me rastin e 24 vjetorit të çlirimit dhe 60 vjetorin e fillimit të fotografisë të Asllan Krasniqit, ka nxjerrë nga arkivi i tij për herë të parë pas 24 viteve, dhe ka hapur ekspozitën me 24 fotografi të “Eksodit’99 në Bllacë, Stankoc dhe Çegran”.

Krasniqi tregon sa rëndë e ka përjetuar momentin e shkrepjes së fotove të nxjerrë nga arkivi pas 24 viteve.

24 vjet më parë në Kosovë u vendosën rreth 50 mijë ushtarë të NATO-s, duke i dhënë fund luftës në Kosovë. Trupat paqeruajtëse të NATO-s hyn në Kosovë pas fushatës 78-ditore ajrore të Aleancës së Veri-Atlantikut kundër caqeve serbe.