I dërguari i SHBA tur 4-ditor në Ballkan, viziton dhe Shqipërinë, por jo Beogradin. Ja fokusi i takimeve
Javën e ardhshme Ballkanin Perëndimor do ta vizitojë i dërguari i posaçëm dhe koordinatori i Qendrës për Angazhim Global në Departamentin e Shtetit.Zyrtari i lartë amerikan pritet të ndalet në Podgoricë, Shkup dhe Tiranë, ndërsa ka shmangur Beogradin dhe Prishtinën.Në fokus të takimeve të James Rubin pritet të jenë ndërhyrjet ruse dhe kineze në rajonin tonë.
I dërguari special i SHBA dhe koordinatori për Qendrën Globale të Angazhimit James P. Rubin do të ndërmarrë një tur 4-ditor në Ballkan.
Sipas DASH, Rubin do të udhëtojë nga 10-14 prilli në Podgoricë, Mal të Zi; Shkup, Maqedoninë e Veriut; dhe Tiranë, Shqipëri.
Në Podgoricë dhe Shkup, i dërguari i posaçëm Rubin do të takohet me zyrtarë qeveritarë për të forcuar mbështetjen për nismat kundër dezinformimit.
Ai do të diskutojë përpjekjet e Rusisë, Republikës Popullore të Kinës dhe aktorëve të tjerë keqdashës që përdorin dezinformata për të minuar demokracinë dhe sigurinë kombëtare në mbarë globin, dhe se si kombet tona mund t’i kundërvihen së bashku kërcënimet në hapësirën e informacionit.
Ndërsa në Tiranë, i dërguari i posaçëm Rubin do të marrë pjesë në takime me ambasadorët e SHBA-së nga Ballkani Perëndimor.
Ajo që vihet re nga njoftimi i DASH është se jashtë axhendës mbetet Serbia, pasi nuk ka një vizitë të planifikuar në Beograd.
Ndërkohë me datën 11 prill 3 ditë para nisjes së fushatës elektorale për zgjedhjet e 14 majit Tiranën pritet që ta vizitojë edhe i dërguari i posaçëm i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor Gabriel Escobar.
James Rubin që në të kaluarën ka qenë ndihmëssekretar i Shtetit, ka qenë i angazhuar gjatë periudhës së luftës së fundit në Kosovë.
Ai ka mbrojtur vendimin për ndërhyrjen ushtrake ndërkombëtare ndaj forcave serbe në Kosovë.
Për angazhimin e tij për çlirimin e Kosovës, më 2013, Kosova i ka ndarë Medaljen Presidenciale të Meritave.
Ndryshe, Shtete të Ballkanit Perëndimor, sikurse Kosova dhe Maqedonia e Veriut kanë paralajmëruar për rreziqet nga ndikimet e mundshme ruse në Ballkanin Perëndimor, por edhe për ndikimin e Kinës në disa shtete të rajonit.
Të gjitha shtetet e rajonit, me përjashtim të Serbisë, kanë vendosur sanksione ndaj Rusisë pasi Moska nisi pushtimin e Ukrainës shkurtin e kaluar.
Beogradi e ka justifikuar vendimin e tij, duke u thirrur në raportet miqësore që ka me Moskën.

