Ish-ambasadori holandez në Kosovë pret që ish-krerët e UÇK-së të lirohen nga akuzat e Speciales

Ish-ambasadori i Holandës në Kosovë, Robert Bosch, pret që ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që po akuzohen për krime të pretenduara të luftës nga Dhomat e Specializuara, të shpallen të pafajshëm.

“Unë pres që të gjithë të lirohen, natyrisht”.

Diplomati thotë se lëvizja e Shqipërisë për të rrëzuar rezolutën e Dick Marty në Këshillin e Evropës, që shërbeu si bazë për themelimin e Dhomave të Specializuara, është e duhuri.

Ai vlerëson se e gjithë baza e Gjykatës është e gabuar.

“Gabimi që ka bërë Qeveria e Kosovës ka qenë se nuk kanë krijuar grupin e tyre hetues, nuk e kanë bërë pas raportit të Marty. Ata është dashur të thonë, kjo është marrëzi, por ne do të krijojmë një grup hetimi, ata nuk e bënë këtë”, thotë diplomati holandez.

Bosch thotë se  edhe shteti i Kosovës duhej të kishte reaguar ndryshe përballë rezolutës Marty.

Dhomat e Specializuara të Kosovës sipas tij duhet të hetojnë të gjitha rastet, përfshirë edhe ato vrasje, masakra, përdhunime, rastet e personave të pagjetur e dëmtime pronash nga ana e serbëve.

“Dhe çfarë thotë prokurori, tani flet për 100 raste, sepse sigurisht 100 raste janë shumë, mirëpo nëse kemi midis 16 dhe 12 mijë njerëz të vrarë, pse të kemi një gjykatë të tërë për 100 raste? Çfarë është kaq e rëndësishme për këto 100? Pra, 15 mijë minus 100 raste, a nuk ia vlen të hetohen, është pak e çuditshme”, thotë ish-ambasadori holandez.

Ish-ambasadori i Holandës duke analizuar marrëdhëniet mes Prishtinës e Beogradit thotë se Serbia një ditë do të duhet ta pranojë pavarësinë e Kosovës.

Serbët e Kosovës sipas diplomatit janë më mirë se ata përtej kufijve.

Procesi gjyqësor ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit e Rexhep Selimit në Hagë pritet të zgjasë disa vite.