Rritja e pagës mesatare në 900 euro, Xhepa: Premtim i ekzagjeruar, implikohet dhe sektori privat

Në një rast të paprecedentë, të paktën për zgjedhjet lokale, kryeministri Edi Rama ka hapur "thesin" e parave publike duke premtuar rritje pagash e pensionesh.

Eksperti i ekonomisë, Selami Xhepa, në një intervistë për Rtv Ora thotë se premtimet e Ramës këtë vit kanë tejkaluar  përmasat e eksperiencave të viteve të kaluara.

Realizimin e sheh të pamundur, pasi siç thotë ai, ekonomia nuk ka performuar në nivelin e premtimeve elektorale.

Xhepa: Në fushata elektorale kja një llloj inflacioni të megaprojekteve dhe premtimeve të mëdha por këto premtime i kanë kaluar përmasat e eksperiencave të viteve të kaluara.Për më tepër që bëhet fjalë për një angazhim jashtëzakonisht të rëndësishëm, i cili ka implikime serioze qoftë për financat publike por edhe për ecurinë e sektorit privat. Në dy vitet e fundit, rrogat tona kanë humbur 10-15% të vlerës. Ata që janë me të ardhura të ulëta kanë humbur shumë më tepër nga inflacioni. Humbja e fuqisë blerëse kërkon një indeksim të asaj fuqie blerëse të humbur.

Edhe sikur pagat të rriteshin 10-15% brenda një viti kjo mund të kuptohet jo si rritje page por një rikthim i vlerës së parasë që kemi sot, rrogës që kemi sot. Por premtimi për të kaluar në paga me mesatare në ekonomi 900 euro është e ekzagjeruar. Të gjithë duam rritje rrogash por duam të dimë nga vijnë. Ai thotë i kemi të ardhurat. Ekonomia nuk ka performuar mirë që të na tregojë se po çlirojmë burime të mëdha. Sot paga mesatare është 64 mijë lekë dhe që të shkojmë në mbi 100 mijë lekë, rritja shkon gati me 3300 euro për individ gjatë një viti. Po ta shumëzojmë me numrin e atyre që janë në punë është një kosto jashtëzakonisht e lartë. Automatikisht implikohet dhe sektori privat.

Kjo vendos një presion më të madh mbi sektorin privat që edhe ata duhet të bëjnë indeksim të pagave. Sot 70% e të punësuarve në sektorin privat janë me pagë mesatare nga 42-52 mijë lekë. Për të shkuar te ky nivel kaq ambicioz efekti financiar do të ishte jashtëzakonisht i fortë. A ka mundësi sektori privat për ta përballuar? Kjo kërkon një diskutim shumë më të gjerë, përndryshe mbetemi në diskutimet elektorale për qëllime spekulative.