Fasada milionaeuroshe në rrugët e Tiranës, Bashkia jep 2.1 mln € për infrastrukturën e njësisë 9

Që disa zona të kryeqytetit paskan nevojë për ndërhyrje në rrugë dhe në fasada, kryebashkiaku Erion Veliaj e ka kuptuar në krye të 8 viteve që është në karrigen e kryetarit.

Këtë e vëmë re në prokurimet miliona euroshe që bën pak muaj para zgjedhjeve vendore, ndërsa nuk heq dorë edhe nga procedurat që cënojnë garën e drejt.

Në fund të marsit Bashkia e Tiranës lidhi kontratën për rikualifikimin urban të bllokut që kufizohet nga rrugët “MINE PEZA” – “FORTUZI” – “ZOGU I" – “HAXHI HYSEN DALLIU” dhe “ASIM VOKSHI”.

Janë plotë 237 milionë lekë, ose 2.1 milionë euro që do të shpenzohen në zonën që ndodhet në njësinë numër 9 në Tiranë për rrugë, trotuare, kanalizime dhe ndriçim.

Nga 13 kompani që kanë shfaqur interes, Bashkia Tiranë ka skualifikuar ofertën më të mirë për të shpallur fitues subjektin “AGRI CONSTRUCTION”.

Ndërsa bashkimi i operatorëve “EURO-ALB”, “LLAZO” dhe “VIANTE” që mund të realizonin punën me 145 mijë euro më pak se fituesi, janë skualifikuar për arsyen se dy prej kompanive nuk kanë paraqitur siç kërkohet deklaratën për drejtuesit teknik të punimeve.

Vendosja e kritereve për të favorizuar kompani në tenderat publik çoi në burg kryebashkiakun e Bulqizës Lefter Alla. Lind pyetja, po për tenderët e Veliajt do ketë një hetim nga SPAK?