Në kërkim të punonjësve, Fakulteti i Ekonomisë organizon Panairin e Punës, marrin pjesë mbi 70 kompani
Fakulteti i Ekonomisë në Tiranë u shndërrua të enjten në një vendtakim mes dhjetra kompanive e studentëve.
Mbi 70 kompani që operojnë në sektorin bankar, konsulencës, telekomunikacionit, turizmit, transportit prezantuan ofertat e tyre.
Përfaqësues të sipërmarrjeve thonë se po ndeshin vështirësi për punonjës.
"Kohët e fundit po vuajmë shumë për gjetjen e personave prandaj jemi pjesëmarrës në çdo panair të mundshëm për të thënë se realisht ne jemi duke kërkuar punonjës."
Interesi i studentëve ka qenë i lartë.
"Më shumë janë për pjesën e intershipit, për punësim janë më pak. Shkak i kësaj është dhe pjesa e orarit."
Ata që janë në vitet e para të studimeve shohin me rëndësi praktikat e trajnimet.
"Për pjesën e intershipeve, marrjen e eksperiencës së punës."
Të rinjtë që janë në prag diplomimi synojnë punësim.
"U interesova më shumë për një vend pune."
Ka mbi 20 vite që në Fakultetin e Ekonomisë organizohen të tilla panaire.
Dekani, Dhori Kule, thotë se kanë rezultuar të suksesshme si për kompanitë ashtu dhe studentët.
"Në themel ka interesin që kemi ne që produktit tonë ti gjejmë destinacion. Kemi fatin e mirë që në Fakultetin e Ekonomisë ne marrim çdo vit 1200 maturantë, na vijnë maturantët më të mirë të Shqipërisë. Tregu i punës nuk i lë asnjëherë jashtë."
Të enjten po ashtu Fakulteti i Ekonomisë organizoi Forumin “30 Vite Ekonomi e Lirë-Sektori Bankar”.
