Si nënkontraktues të Kinës në Serbi, ku po ndërtojnë rrugë të sanksionuarit e SHBA dhe Britanisë, Radoiçiq dhe Vesellinoviq?

Zyrtarët e Serbisë dhe Kinës i përshkruajnë marrëdhëniet mes dy vendeve si “miqësi e çeliktë”, të cilat i vërtetojnë me një sërë projektesh infrastrukturore dhe të tjera që Kina ka zbatuar në Serbi gjatë viteve të fundit.

Serbia është një nga vendet e nismës “Brezi dhe rruga” – një projekt shtetëror kinez i iniciuar nga presidenti Xi Jinping, me qëllim të depërtimit të atij shteti në Perëndim.

Stefan Vlladisavlev, hulumtues në Fondin joqeveritar për Përsosmërinë Politike në Beograd, thekson se kontratat e infrastrukturës funksionojnë sipas një modeli të vendosur.

“Kjo funksionon sipas parimit - Qeveria serbe merr kredi nga një bankë kineze dhe për atë shumë që është marrë si kredi, është e obliguar të punësojë një kompani kineze që do të kryejë punimet”, shpjegon ai.

Të gjitha marrëveshjet për kredi ndërmjet Serbisë dhe bankave kineze janë të qasshme për publikun, sepse ato duhej të ratifikoheshin nga Parlamenti.

Problemi nuk ka të bëjë me qasshmërinë në kontrata, por me mungesën e transparencës në procesin e negociatave, thekson Stefan Vlladisavlev.

Nuk ka tenderë dhe ofertues të tjerë, por bëhet fjalë për pazar të drejtpërdrejtë.

“Ne nuk e dimë se si janë arritur kushtet, të cilat i përmbajnë vetë marrëveshjet dhe nuk e dimë se si shpërndahet kostoja, sepse është e shfaqur shuma totale e kredisë. Nuk dihet se çfarë i takon kompanisë kineze dhe çfarë është e nënkontraktuesve”, shton ai.

Vlladisavlev, gjithashtu, vlerëson se mungesa e transparencës “lë dyshim se veprime të caktuara nuk janë në përputhje me sundimin e ligjit, dhe përfundimisht jo në përputhje me rregullat e tregut dhe konkurrencës”.

Procesi i kontrollit dhe mbikëqyrjes së investimeve kineze është përgjegjësi e Qeverisë së Serbisë dhe institucioneve të saj.

Kompanitë kineze, thekson Vlladisavlev, nuk janë të gatshme të komunikojnë me sektorin civil dhe ekspertët e pavarur.

“Ngrihet pikëpyetja se a mjafton që kontraktuesi të jetë përgjegjës vetëm ndaj shtetit të Serbisë, nëse nuk ka mekanizma të tjerë kontrollues dhe mbikëqyrës”, theksoi ai.

Kur bëhet fjalë për sanksionet e Shteteve të Bashkuara dhe Mbretërisë së Bashkuar ndaj kompanive dhe individëve, Vlladisavlev thekson se kompanitë kineze dhe shteti nuk i kushtojnë vëmendje kësaj çështjeje.

“Nga njëra anë, nuk ka asnjë arsye pse Kina do të duhej të zbatonte sanksionet që ka zbatuar një shtet tjetër, veçanërisht nëse bëhet fjalë për një shtet që shihet gjithashtu si rival sistemor, në këtë rast Shtetet e Bashkuara”, shtoi ai.

Por, ai thekson se as Serbia nuk u kushton vëmendje atyre sanksioneve.

Sipas Vlladisavlevit, problem potencial mund të paraqesë “angazhimi aktiv” i kompanive që janë në listën e zezë të SHBA-së, shtet ky me të cilin Serbia dëshiron të ndërtojë marrëdhënie partneriteti, veçanërisht në fushën e investimeve.

“SHBA-ja mund t’ia shtrojë Serbisë çështjen që, nëse ju si shtet dëshironi të bashkëpunoni me ne, duhet t’i ndërprisni të gjitha lidhjet që keni me individë dhe subjekte biznesi që janë në listat tona të zeza”, thekson ai.