Mandati i Olta Xhaçkës shkakton debate në Kuvend, PD: Nikolla e vonoi 3 muaj mbledhjen
Këshilli i Mandateve dhe Rregullores do të rinis javën e ardhshme diskutimin për kërkesën e opozitës për heqjen e mandatit të deputetes Olta Xhaçka. Dy muaj pasi Gjykata Kushtetuese e riktheu çështjen në Kuvend, komisioni ka rihapur procedurat mes debateve për afatet që do të duhet të respektohen.
“Është e patolerueshme që kryetarja e Kuvendit që ka detyrimin të thërrasë Këshillin e Legjislacionit, ka vonuar mbledhjen për afro 3 muaj nga skadimi i afatit për të shqyrtuar këtë set të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese.”, u shpreh demokrati Gazment Bardhi.
Në seancën e radhës do të jenë relatorët që do të paraqesin argumentet mbështetur në kërkesat e Gjykatës Kushtetuese.
“Këshilli vendos që të mblidhet në datën 29 mars për të paraqitur raportet për setin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese”, u shpreh drejtuesja e mbledhjes Ermonela Felaj.
“Me çështjet zgjedhore do të jetë z. Gogu relator; për çështjet që lidhen me aspektin penal do të jetë znj. Gjonaj; me çështjet që kanë të bëjnë me papajtueshmërinë e mandatit të deputetit, do të merrem unë”, u shpreh socialistja Klotilda Bushka.
Në qershor të vitit të shkuar opozita kërkoi pavlefshmërinë e mandatit të Olta Xhaçkës, kjo me argumentin se bashkëshorti i saj kishte përfituar statusin “Investitor Strategjik” dhe të drejtën e përdorimit të një sipërfaqe në bregdet.
Në përfundim të shqyrtimit mazhoranca me raport shumicë deklaroi se nuk kishte konflikt interesi ndaj dhe dosja u konsiderua e mbyllur, çka solli aktivizimin e ankesës në Gjykatën Kushtetuese.



