Plagosje për rrjetet sociale brenda shkollës në Paskuqan, një nxënës në spital, tjetri në komisariat
Një nxënës i shkollës “Jashar Hoxha” në Paskuqan mbeti i plagosur pasi u godit me thikë nga një 15 vjeçar brenda rrethimit të institucionit arsimor. Ngjarja ka si motiv debatin për mesazhet në rrjete sociale. Autori i ngjarjes u arrestua ndërsa nxënësi ndodhet jashtë rrezikut në spital ku pritet të merret në pyetje.
Dy nxënës 15 vjeçarë të shkollës 9-vjeçare “Jashar Hoxha” në Paskuqan u përfshinë në një sherr më njëri-tjetrin, ku për pasojë një prej të miturve ka mbetur i plagosur më thikë.
Ngjarja ndodhi në pushimin mes orëve të mësimit në atë shkollë.
Sipas të dhënave jo zyrtare, i plagosuri ka qenë në oborrin e shkollës kur bashkëmoshatari i tij ka kaluar kangjellat dhe është futur në oborr.
Aty ka ndodhur edhe plagosja me thikë, ndërsa menjëherë pas këtij krimi autori ka tentuar të largohet por është ndaluar nga persona të tjerë që ndodheshin aty.
I mituri tjetër i përfshirë në ngjarje, është dërguar në spital dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Sipas burimeve sherri ka nisur për shkak të mesazheve në rrjetet sociale, ku dy nxënësit kanë debatuar mes njëri-tjetrit.
Grupi i hetimit pritet të marrë edhe dëshminë e të plagosurit në prezencë të psikologut, për të zbardhur më shumë detaje në lidhje me ngjarjen.
