Presidentja greke krah Vuçiç: S’ka njohje të Kosovës, Serbia i përket familjes evropiane

Greqia nuk do të njohë Kosovën pavarësisht nga presionet ndërkombëtare.  Presidentja greke e ka konfirmuar këtë qëndrim në krah të presidentit serb Vuçiç, gjatë vizitës së saj në Beograd.

Ndryshe nga çfarë u sinjalizua nga Perëndimi gjatë bisedimeve për marrëveshjen e Ohrit, se pranimi i paktit do të çonte në njohjen e Kosovës nga 5 shtetet europiane, që nuk e kanë ndërmarrë këtë akt, Athina zyrtare nuk ndryshon qëndrim.

Këtë e konfirmoi të martën në Beograd, e para e shtetit grek Katerina Sakellaropoulou. 

Në krah të homologut të saj serb Aleksandër Vuçiç ajo pranoi se ka patur presion diplomatik për njohjen e Kosovës, por se Greqia  reziston.

“Gjithmonë ka presione në nivel diplomatik, por kjo nuk ka ndikuar në pozicionin tonë, ne kemi konsistencë në politikë”.

Megjithatë, presidentja greke tha se e mbështet marrëveshjen e Ohrit si dhe përkpjekjet për normalizimin e marrëdhënieve mes Serbise dhe Kosovës.

Ajo e cilëson si prioritet perspektivën europiane dhe integrimin e Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Europian.

"Ne mbështesim dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës dhe bisedimet e fundit Perspektiva evropiane e Ballkanit Perëndimor është një prioritet strategjik i Greqisë. Anëtarësimi në Bashkimin Evropian do të ofrojë paqe dhe siguri dhe do të parandalojë ndikimin e vendeve të treta në Ballkanin Perëndimor”.

Në takimin ne Beograd, u diskutua mbi fuqizimin e marrëdhënieve greko-serbo, ku është folur mbi infrastrukturën dhe energjitikën.