"Sillni Europën këtu që mos t'ju ikin të rinjtë!"Kryediplomatja gjermane në Maqedoninë e Veriut: Mos e bëni "mollë sherri" Kushtetutën

"Sillni Evropën këtu nëse nuk dëshironi që të rinjtë të shkojnë në Evropë", tha sot në Shkup shefja e diplomacisë gjermane, Annalena Baerbock, në konferencën e përbashkët për media me ministrin e Jashtëm të Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani.

“Kur është fjala për zbatimin e asaj që është rënë dakord dhe kur vërtet duhet të ndryshohet Kushtetuta, atëherë unë vetëm mund t'ju inkurajoj që të përdorni të gjitha mjetet në dispozicion për të vazhduar procesin në muajt e ardhshëm, që të mos dështoni në këtë pengesë kyçe”, theksoi Baerbock.

Ajo nënvizoi se ndryshimi i dakordësuar i Kushtetutës nuk duhet të bëhet mollë sherri për politikën në garën e popullaritetit në votime apo garën në të cilën partia mund të ketë ndonjë avantazh në fund të zgjedhjeve.

“Shpreh respekt dhe mirënjohje sepse ne e dimë çfarë kompromisi dhe lëshimesh keni bërë për rrugën europiane, duke filluar nga ndryshimi i emrit të shtetit deri në dhënien e pëlqimit për ndryshimin e Kushtetutës. E di që marrëveshja që keni arritur me Bullgarinë nuk ka qenë e lehtë për ju dhe prandaj po ju drejtohem të gjithë atyre njerëzve që ende ndjejnë njëfarë shqetësimi për këtë.

Kushtetuta nuk është diçka që ndryshon gjatë gjithë kohës, por këto janë hapa të rëndësishëm, dhe kjo është arsyeja pse unë mund të kuptoj se ka një debat për të, veçanërisht kur bëhet fjalë për identitetin dhe historinë, gjuhën dhe kulturën e dikujt", tha Baerbock.

Sipas saj, prandaj është shumë e rëndësishme që “në momente të tilla kur bëhet fjalë për identitetin të mos ketë debate bardh e zi, por të flitet ndryshe në politikë”.

“Ishte e rëndësishme dhe domethënëse që ju e hapët këtë rrugë, veçanërisht në aspektin e sfidave të veçanta. Me këtë vendim të guximshëm politik mund të fillojnë zyrtarisht negociatat e anëtarësimit dhe me këtë vendim politik dhe kapital politik ju keni dërguar një sinjal të qartë për të gjithë rajonin,  ne duam pranimin në BE dhe do të bëjmë atë që është e nevojshme për të".

Ministri Osmani, nga ana e tij, theksoi se ministrja gjermane vjen në një periudhë vendimtare për vendin, kur Maqedonia kryeson këtë vit me OSBE-në dhe dy platformat rajonale, gjë që, siç theksoi, flet për pozicionin e ri rajonal të vendit.

“Gjermania vazhdon të jetë një nga partnerët më të fortë të integrimeve evropiane të rajonit dhe në këtë kontekst dua të falënderoj për mbështetjen e fortë dhe të vazhdueshme që merr edhe vendi ynë”, tha Osmani.

Sipas tij, viti 2030 është një synim ambicioz por i arritshëm për integrimin në BE të të gjitha vendeve nga Ballkani Perëndimor.

“Maqedonia e Veriut ka marrë obligime që duhet t'i përmbushë dhe negociatat me BE-në për anëtarësim duhet të vazhdojnë. Këtë herë varet vetëm nga ne. Unioni nuk e integron qeverinë, por gjithë vendin bashkë me opozitën dhe secili prej nesh duhet të mbajë përgjegjësi për këtë proces dhe këtu llogarisim në mbështetjen e miqve tanë evropianë”, tha Osmani.

Gjermania, shtoi Osmani, është partneri ynë tregtar numër një, me të cilin kemi shkëmbimin më të lartë tregtar.

“Vitin e kaluar arriti në mbi 5 miliardë euro dhe vazhdon të rritet dhe investimet më të mëdha të huaja vijnë nga Gjermania në vend me mbi 200 kompani gjermane të pranishme në tregun tonë. Prandaj dëshirojmë që këtë bashkëpunim ta kurorëzojmë duke krijuar një partneritet strategjik mes dy vendeve, theksoi Osmani në konferencën e përbashkët për media me homologen gjermane.