Osmani: BE po e toleron refuzimin e Serbisë, Borrell nuk mund të pajtohet në emër të Vuçiçit

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani ka deklaruar se aneksi i marrëveshjes ka shumë paqartësi dhe se para delegacionit të Kosovës janë paraqitur versione të tmerrshme.

Ajo ka theksuar se i gjithë presioni ndërkombëtar duhet të jetë mbi Serbinë, meqë po rrezikon dakordimin në Ohër. Madje, siç tha ajo, Bashkimi Evropian e ka toleruar refuzimin e vazhdueshëm të Serbisë dhe që po rrezikohet edhe procesi i dialogut.

Kështu ka deklaruar ajo pas vizitës në Klinikën e Gjinekologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) bashkë ministrin e Shëndetësisë Arben Vitia, ku po ashtu tha se Borrell nuk mund të pajtohet në emër të Vuçiçit.

Ajo para gazetarëve tha se Kosova nuk mund të marrë obligime të njëanshme, meqë është marrëveshje dypalëshe dhe ndërkombëtare. Po ashtu, Osmani theksoi se kanë pasur disa takime me kryeministrin Kurti para dhe pas udhëtimit nga Brukseli dhe pas dakordimit në Ohër.

"Serbia akoma pa u mbushur 24 orë nga dakordimi në Ohër, njëlloj siç ndodhi edhe në shkurt e përsëriti edhe në mars. Pra tregoi që premtimet që i ka dhënë në kuadër të dialogut, nuk kanë asnjë vlerë për të as politike e as juridike dhe rrjedhimisht njoftoi edhe komunitetin ndërkombëtar që ai nuk do të zbatojë obligimet të cilat qartë dalin nga marrëveshja bazë dhe nga aneksi. Tani pavarësisht që u dakordua në Ohër tani në mars, më lejoni të ritheksoj që teksti i marrëveshjes bazë mbetet si i tillë dhe nuk ndryshohet. Rrjedhimisht, akoma neni 4 i asaj marrëveshje, i cili e obligon Serbinë që të mos kundërshtojë anëtarësimin e Republikës se Kosovës në asnjë organizatë ndërkombëtare, pa dallim, pa përjashtim, mbetet në fuqi", ka thënë ajo.

Sa i përket nenit 7 dhe 10 të marrëveshjes tha se në praktikë kanë një dallim, meqë e para ka të bëjë me të drejtat e serbëve, ndërkaq tjetra me të gjitha marrëveshjet që janë nënshkruar deri më tani në Bruksel.