Besimtare për herë të parë/ 19-vjeçarja nga Tirana vendos shaminë. Teologu: Ramazani muaj mbi muajt
Është moment shenjues në jetën e Esit.
Për të parën herë shkel në xhami dhe për të parën herë vendos shaminë.
“Ndihem një njeri shumë i lumtur mbi të gjitha, dhe për këtë gjë jam shumë krenare edhe për veten sot", shprehet ajo.
Vitet e shkuara ka agjëruar vetëm për Natën e Kadrit, këtë vit sakrificën do e shtrijë përgjatë gjithë muajit të Ramazanit.
“Çdo muaj që afronte Ramazani mendoja të agjëroja për gjithë muajin dhe këtë e kam marrë si sfidë edhe me vetveten, por besoj se do t’ia dal", shprehet Esi.
19-vjeçarja nuk vjen nga një familje praktikante myslimane por është e vendosur që rrugën e besimit islam ta vazhdojë për sa të ketë jetë.
“Do qëndroj, absolutisht sa të kem jetë”, thotë ajo.
Afërdita është ajo që do e udhëzojë në këtë eksperiencë të re jetësore e do i mësojë lutjet e para.
56-vjeçarja ka mbi 30 vite që ka përqafuar besimin islam, po kaq vite agjërim gjatë Muajit të Ramazanit.
“Është një muaj me të vërtetë shumë i madh. Është një muaj faljeje, mëshire, largimi nga zjarri Xhehnemit. Bëhemi më të qetë, më të durueshëm se sa në ditët e tjera. Në muajin e Ramazanit gjërat lehtësohen, bëhen më të bukura, më të mira. Edhe njerëzit bëhen më mikpritës, më të afrueshëm”, shprehet ajo.
Muaji mbi Muajt e cilëson teologu Enest Hysa Ramazanin dhe tregon rëndësinë që ka për besimtarët myslimanë.
“Vlerat e agjërimit janë të shumta. Ai lartëson vlerat shpirtërore të njeriut. Fillimisht besimtarët i drejtohen edhe më tepër Krijuesit gjatë këtij muaji duke filluar me agjërimin dhe me adhurime shtesë”, shprehet teologu.
Kryetari i KMSH, Bujar Spahiu mesazhin e tij e përqëndroi tek ndikimi social i Ramazanit!
“Të lëmë anash mospajtimet, mëritë e egoizmin. Të synojmë të arrijmë vetëm kënaqësinë e Zotit dhe harmoninë me njerëzit, me të cilët rrethohemi”, tha ai
Muaji i Madhërishëm i Ramazanit nis të enjten e 23 Marsit dhe zgjat deri në datën 20 të muajit Prill. Nata e Kadrit parashikohet të jetë në 17 Prill.



