Putin: Propozimet kineze për paqe mund të zgjidhin mosmarrëveshjet me Ukrainën

Presidenti rus, Vladimir Putin, i përshkroi bisedimet me homologun e tij kinez, Xi Jinping, si konstruktive dhe thelbësore.

Në fjalën e tij hyrëse, para raundit të dytë të bisedimeve, presidenti rus theksoi se në agjendën e kontakteve dypalëshe janë përfshirë çështje urgjente ndërkombëtare dhe gjeopolitike.

Presidenti kinez dhe homologu i tij rus theksuan se "dialogu i përgjegjshëm" është mënyra më e mirë për zgjidhjen e përhershme të krizës në Ukrainë, njoftuan mediat shtetërore kineze.

Pala ruse riafirmoi angazhimin e saj për rifillimin e bisedimeve të paqes sa më shpejt të jetë e mundur pas përfundimit të bisedimeve midis Xi dhe Putin në Moskë.

Të dy palët theksuan se zgjidhja e krizës në Ukrainë duhet të respektojë "shqetësimet legjitime të sigurisë" të të gjitha vendeve dhe të shmangë konfrontimin midis kampeve.

Çështja e rëndësishme nga takimi është se udhëheqësi rus tha se propozimet kineze për paqen mund të përdoren si bazë për zgjidhjen e konfliktit në Ukrainë kur Kievi dhe aleatët e tij perëndimorë të jenë gati.

Putin, i cili po fliste pas bisedimeve me udhëheqësin kinez Xi Jinping në Moskë, tha se të dy udhëheqësit i kushtuan vëmendje propozimeve të paqes të Pekinit gjatë një takimi kokë më kokë.

Presidenti rus tha gjithashtu se Perëndimi po lufton në Ukrainë "deri në ukrainasin e fundit".

Në takimin dypalësh u shqyrtua forcimi i marrëdhënieve ruso-kineze në fusha të ndryshme, veçanërisht në çështjet me interes ekonomik, me horizont 2030.

Putin tha gjithashtu se vendi i tij është i gatshëm të ndihmojë kompanitë kineze të zëvendësojnë ato perëndimore që janë larguar nga Rusia për shkak të luftës në Ukrainë.

Ai tha gjithashtu se ka diskutuar me liderin kinez çështjen e tubacionit të gazit Poëer of Siberia 2 që do të transportojë gazin rus në Kinë.

“Fushat tona të bashkëpunimit do të zgjerohen. Po shohim rezultatet e para dhe po zgjerojmë proceset”, tha Xi nga ana e tij.

Në veçanti, presidenti kinez theksoi se bashkëpunimi dypalësh është i fokusuar në fushën e energjisë, materialeve konsumuese dhe elektronike.

Ai theksoi edhe një herë nevojën për paqe, duke iu referuar planit kinez.

Në përgjigje të kritikave, ai tha se Pekini kërkon paqe dhe dialog.

Presidenti kinez tha se Pekini kishte një "qëndrim të paanshëm" për konfliktin në Ukrainë dhe mbështet paqen dhe dialogun.

Xi, duke folur përmes një përkthyesi pas bisedimeve me homologun e tij rus Vladimir Putin, tha se bisedimet me udhëheqësin e Kremlinit kishin qenë "të hapura dhe miqësore".

Dita e dytë e vizitës

Xi Jinping ishte në Kremlin për të dytën ditë, në kuadër të takimit zyrtar të planifikuar me Vladimir Putin.

Dy presidentët shtrënguan duart dhe qëndruan krah për krah gjatë ekzekutimit të himneve kombëtare.

Më pas së bashku me delegacionet e tyre u tërhoqën në sallën e Shën Katerinës për biseda pa praninë e gazetarëve.

Më vonë do të mbahet ceremonia e nënshkrimit të dokumentit dhe pas takimit Putin dhe Xi do të lëshojnë një deklaratë të përbashkët.