Kraki: Kosova është endur si monedhë kusuri 10 vitet e fundit, herë për llogari të Thaçit, herë të Tiranës
Analisti, Nezir Kraki, duke komentuar marrëveshjen e Ohrit në "Drejt" thotë se Serbia rikonfirmoi atë që kishte humbur 24 vite më parë, ndërsa Kosova rikonfirmoi atë që ishte.
Kritika të ashpra adresoi edhe ndaj qeverisë së Tiranës, rolit që ka luajtur në bisedimet e Kosovës me Serbinë.
Kraki: Serbia nuk humbi asgjë në Ohër, vetëm pranoi atë që kishte humbur 24 vite më herët. Kosova rikonfirmoi atë që ishte. Gjithë këto vite bisedime janë bërë kot. Pas 24 vitesh Serbia mbeti në Serbi, Kosova në Kosovë, Kosova shtet i pavarur, Serbia pa Kosovën. Lëshimet që kanë bërë liderët e Kosovës… Kosova është endur si monedhë kusuri këto 10 vitet e fundit, herë për llogari të Thaçit, herë për llogaritë e klaneve politike në Tiranë, herë për llogaritë e Rusisë, herë për llogaritë e Trump,herë për llogaritë e ndonjë diplomati si Mogherini. Të gjithë janë realizuar personalisht dhe profesionalisht në kurriz të Kosovës, kanë bërë karrierë dhe kanë avancuar përveç disa prej tyre që kanë përfunduar shumë keq. Në fund të ditës, Kosova ishte e vetmja që humbi. Më shkoi sot mendja te zhdukja e papritur e Shqipërisë nga dosja e re e Kosovës. Shqipëria ka qenë shumë prezente në dosjen e Kosovës para 3-4 vitesh kur Kosova ishte në pozitën më të keqe përballë Serbisë.
