Takimi me Vuçiç në Ohër, Kurti raporton me 23 mars në Kuvend

Albin Kurti do të raportojë të enjten në Kuvendin e Kosovës për takimin me Vuçiç në Ohër, ndërsa po përballet me akuza dhe protesta të paralajmëruara nga opozita. SHBA e BE ndërkohë do të jenë garantë të zbatimit të marrëveshjes.

Kryeministri Albin Kurti do të raportojë të enjten e 23 marsit para Kuvendit të Kosovës për rezultatet e takimit me Aleksandër Vuçiç në Ohër të Maqedonisë së Veriut.

Këtë të hënë, bashkë me zëvendëskryeministrin e parë, Besnik Bislimi, Kurti njohu me qëndrimin e tij për marrëveshjen ambasadorët e akredituar në Prishtinë.

Ambasadori amerikan, Jeffrey Hovenie, i përsëriti publikisht kërkesat që SHBA ka për qeverinë e Kosovës.

Përfaqësuesi i lartë i BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, Josep Borrell, negociator i marrëveshjes, ndërkohë raportoi para ministrave të jashtëm të vendeve të bllokut europian.

Por ndërsa komuniteti ndërkombëtar ka pritur marrëveshjen e Ohrit, opozita në Kosovë ka vërejtje të forta.

Në rrugët e Prishtinës këtë të hënë, u shfaqën dhe grafite kundër marrëveshjes, ndërsa të shtunën është thirrur një protestë.