"Kryqëzuan" Kurtin për marrëveshjen në Ohër, Xharra: Krerët e dy partive opozitare do bënin të njëjtën gjë

Albin Kurti do të raportojë të enjten në Kuvendin e Kosovës për takimin me Vuçiç në Ohër, ndërsa po përballet me akuza dhe protesta të paralajmëruara nga opozita. SHBA e BE ndërkohë do të jenë garantë të zbatimit të marrëveshjes.

Analistja Arbana Xharra thotë se opozita poi e shfrytëzon këtë moment për politikë të brendshme.

Në një intervistë për Rtv Ora, ajo thotë se si Abdixhiku dhe Krasniqi do të kishin bërë të njëjtën gjë që bëri Kurti.

"Jam e sigurt se si Lumir Abdixhiku dhe Memli Krasniqi po të ishin në pozitën e Albin Kurtit do ta nënshkruanin dhe pranonin këtë  marrëveshje. Në rast se do të kishte ndoedhur e kundërta jam e sigurt se këto dy parti politike do të kritikonin ashpër Kurtin për prishje të marrëdhënieve me SHBA dhe BE. Të dy këta vijnë nga parti politike, krerët e cilave kanë nëshkruar dhe pranuar krijimin e Asociacionit. Është diskurs politik që shfrytëzohet në këtë proces".

E ndërsa marrëveshja nuk ka marrë formë ligjore, pasi mungojnë firmat e dy aktorëve kryesorë, Xharra thotë se si Serbia dhe Kosova do të lëshojnë pe dhe do ta firmosin.

"BE po e shet si një marrëveshje që ka kaluar, por mbetet të shihet në vazhdim. SHBA dhe BE kanë shtuar presionin ndaj Kosovës dhe Serbisë. Në shumë qëndrime dhe Vuçiç ka ndryshuar, Rusia nuk është në pozicioin që ishte. Nuk është Serbia në situatën që ka menduar se do të jetë, kështu që Serbia do të lëshojë pe, po ashtu dhe Kosova".