Çmim i fiksuar për 5 vite, Meta: Ja si po vidhen miliona euro me tenderin e energjisë, t’i ndëshkojmë më 14 maj

Ilir Meta i cilëson korruptiv dhe vjedhje të radhës tenderat e KESH për blerjen e energjisë për 5 vitet e ardhshme.  Meta tha se çmimi i fiksuar nuk është i njëjtë me atë të bursës, ndërsa KESH do të abuzojë me prodhimin vendas për të realizuar kontratën siç e quan ai korruptive.

Vjedhje e radhës në një prej sektorëve më të korruptuar i cilëson kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta tenderat e Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare për blerje energjie për 3 deri në 5 vitet e ardhshme.

Meta: Me këtë tender korruptiv të energjisë, që gjoja do të blejë energji për 3-5 vjet, lind pyetja e madhe, çfarë do të ndodhë në kohë prurjesh, kur edhe prodhimi i energjisë me kapacitetet aktuale të vendit, është shumë herë më i madh? Pra, i bie që KESH do të jetë duke shitur energji me 50 Euro/Megavati, e nga ana tjetër po KESH, për shkak të këtij tenderi korruptiv me çmim të fiksuar 3-5 vjet, do vazhdojë ta blejë me 270 Euro Megavati.

Theksoi faktin se çmimi i fiksuar për megavat i në kontratë është më i shtrenjtë se çmimi që është në burse.

Meta: Këta bëjnë tender me çmim të fiksuar 270 Euro/Megavati, kur vetë Bashkimi Evropian, ka caktuar një çmim tavan 180 Euro/Megavati për deri në fund të vitit 2024. Vendi ynë është një vend i bekuar për mundësitë e tij të jashtëzakonshme për prodhim të energjisë elektrike.

Sipas Metës, KESH do të abuzojë me shitjen e energjisë vendase në mënyrë që kontrata korruptive të përmbushet.

Meta: Korrupsioni i Qeverisë është ai që ka penguar me çdo mjet shfrytëzimin e këtyre burimeve, të cilat do të prodhonin energji të pastër dhe me çmim shumë të lirë për qytetarët shqiptarë, në mënyrë që të vazhdojnë tenderat korruptivë me qindra milionë Euro në kurriz të qytetarëve shqiptarë dhe në kurriz të bizneseve të ndershme në këtë vend.

Kreu i PL gjithashtu u shpreh se vota kundër qeverisë në zgjedhjet e 14 majit është votë kundër korrupsionit.

Meta: Ndaj 14 maji është një ditë shumë e rëndësishme ku fuqia e bashkimit dhe vota e ndëshkimit do t’i thotë rilindjes mjaft me korrupsionin tënd i cili po dëmton çdo qytetar të ndershëm në këtë vend, çdo sipërmarrje të ndershme në këtë vend i cili po dëbon nga vendi dhe njëkohësisht i cili po kthehet në një problem tepër dramatik për familjet shqiptare dhe për shoqërinë tonë.