Edhe Britania e Madhe ndalon TikTok në pajisjet qeveritare

Qeveria britanike njoftoi sot ndalimin me efekt të menjëhershëm të TikTok në pajisjet qeveritare, duke përmendur arsyet e sigurisë, pas vendimeve të ngjashme nga vendet perëndimore për këtë platformë.

“Ne po kalojmë në një sistem ku pajisjet qeveritare do të jenë në gjendje të aksesojnë vetëm aplikacionet e palëve të treta që janë në një listë të para-miratuar”, tha Sekretari i Shtetit Oliver Dowden, portofoli i të cilit përfshin sigurinë kibernetike, në Dhomën e Komunave.

"Ne po ndalojmë përdorimin e TikTok në pajisjet qeveritare", me "efekt të menjëhershëm", theksoi ai, duke thënë se ekziston rreziku se si të dhënat e ndjeshme mund të përdoren në disa platforma.

“Siguria e informacionit të ndjeshëm të qeverisë duhet të jetë një përparësi kryesore, ndaj sot ne po e ndalojmë këtë aplikacion nga pajisjet qeveritare. Përdorimi i aplikacioneve të tjera për nxjerrjen e të dhënave do të monitorohet”, tha gjithashtu Dowden në një deklaratë.

Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar i kishte kërkuar Qendrës Kombëtare të Sigurisë Kibernetike që të shqyrtonte cenueshmërinë e mundshme të të dhënave të qeverisë nga aplikacionet e rrjeteve sociale dhe rreziqet se si aksesohen dhe përdoren informacione të ndjeshme.

Ndalimi i TikTok nuk përfshin pajisjet personale të zyrtarëve qeveritarë ose ministrave dhe do të ketë përjashtime të kufizuara kur TikTok është i nevojshëm në pajisjet qeveritare për qëllime biznesi, shtoi ministri.

Me këtë lëvizje, Mbretëria e Bashkuar ndjek shembullin e vendeve të tjera, përfshirë SHBA-në, Kanadanë dhe Komisionin Evropian, të cilët tashmë e kanë ndaluar aplikacionin nga pajisjet zyrtare.

TikTok është vënë nën një kontroll në rritje mes frikës se të dhënat e përdoruesve nga aplikacioni, në pronësi të kompanisë me bazë në Pekin ByteDance, mund të përfundojnë në duart e qeverisë kineze duke minuar interesat e sigurisë perëndimore. TikTok e ka mohuar këtë.

Në reagimin e tij ndaj vendimit të qeverisë britanike, TikTok shprehu zhgënjimin e tij, duke deklaruar se tashmë ka filluar marrjen e masave për mbrojtjen e mëtejshme të të dhënave të përdoruesve evropianë.

"Ne besojmë se këto ndalime janë të bazuara në keqkuptime themelore dhe janë të nxitura nga gjeopolitika më e gjerë, në të cilën TikTok dhe miliona përdoruesit tanë në Mbretërinë e Bashkuar nuk luajnë asnjë rol," tha një zëdhënës i TikTok.

“Ne mbetemi të përkushtuar të punojmë me qeverinë për të adresuar çdo shqetësim, por do të duhet të gjykojmë mbi faktet dhe të trajtohemi në mënyrë të barabartë me konkurrentët tanë”.