Fati i Alibeajt sërish te Koli Bele, ankimimi shqyrtohet të enjten
Shorti i KQZ ka bërë që fati për të vendosur regjistrimin ose jo në zgjedhjet vendore të grupimit të Alibeajt të bjerë në dorën e Koli Beles.
Ndërkohë do të jetë anëtari i Komisionit të Ankimimeve dhe Sanksioneve, Ledio Braho ai që do të vendosë nëse grupimi i Berishës do të regjistrohet në zgjedhjet vendore.
Çështja është shqyrtuar me urgjencë pasi komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, vendosi të refuzojë kërkesën e PD për votimet e 14 majit.
Ndërsa KAS do të marrë një vendim, të enjten në orën 12:00 nëse grupimet e Alibeajt dhe Berishës do të shkojnë në zgjedhjet vendore.
Celibashi: PD nuk mund të regjistrohet si subjekt zgjedhor për zgjedhjet e 14 majit 2023.
Kur mbeten vetëm dy muaj nga dita e testit për kryetarët dhe këshilltarët bashkiakë, edhe mbështetësit e krahut të Berishës në selinë blu dorëzuan ankimimin në KAS.
Franc Nuri theksoi se zvarritja e procesit nga kundërshtarët brenda forcës politike është e qëllimshme.
Nuri: Çdo gjë është bërë që opozita të dëmtohet në mëyrë që PD e përfaqësuar nga doktor Berisha të ketë sa më shumë pengesa dhe vështirësi për tu regjistruar. Çdo gjë është bërë enkas nga institucionet dhe pushteti.
Nëse edhe KAS nuk do të pranojë regjistrimin e asnjë prej grupimeve të selisë blu, procesi pritet të vijojë në Kolegjin Zgjedhor.
