"Papa Françesku në Moskë? Kremlini: Po presim Vatikanin. Xi do të bisedojë me Zelensky pas takimit me Putin

“Duhet të presim një deklaratë nga Vatikani”. Kështu deklaroi zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, për mundësinë e një udhëtimi të Papa Françeskut në Moskë. 

Lajmi është bërë i ditur nga agjencia Ria Novosti. 

Të shtunën, Papa përsëriti se ishte gati të "shkonte në Kiev, por me kusht që të shkojë dhe në Moskë. Unë shkoj në të dyja vendet ose asnjërën," tha Françesku.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, ka deklaruar se për momentin nuk ka parakushte për një zgjidhje paqësore të konfliktit në Ukrainë dhe për këtë arsye Rusia mund t'i arrijë objektivat e saj "vetëm me mjete ushtarake". 

Lideri kinez Xi Jinping planifikon të flasë me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky për herë të parë që nga fillimi i luftës në Ukrainë, me gjasë pas vizitës së tij në Moskë javën e ardhshme ku do të takohet me presidentin rus Vladimir Putin, raportoi Wall Street Journal.

64% e ukrainasve besojnë se Ukraina duhet të përpiqet të ripushtojë të gjithë territorin e saj, duke përfshirë Krimenë, edhe me rrezikun e më pak mbështetje perëndimore dhe një lufte të zgjatur. 

Kjo sipas një sondazhi mbarëkombëtar të kryer nga Instituti Ndërkombëtar i Sociologjisë së Kievit (KIIS) midis 22 shkurtit dhe 6 marsit, transmeton Ukrinform.

Nga ana tjetër Rusia është shprehur në favor të zgjatjes së marrëveshjes për eksportin e grurit nga portet ukrainase në Detin e Zi, por "vetëm për 60 ditë".

Kështu deklaroi zëvendësministri i Jashtëm Vershinin, i cili udhëhoqi delegacionin rus në bisedimet në Gjenevë me përfaqësuesit e OKB-së.