Gjykata Ndërkombëtare do të hapë kundër Rusisë çështje për krime lufte në Ukrainë
Gjykata Penale Ndërkombëtare do të akuzojë Rusinë për rrëmbimin e fëmijëve ukrainas dhe për shënjestrimin e qëllimshëm të infrastrukturës civile.
Gjykata Ndërkombëtare Penale synon të hapë dy raste të krimeve të luftës të lidhura me pushtimin rus të Ukrainës dhe do të kërkojë urdhër-arreste për disa persona, sipas zyrtarëve aktualë dhe të mëparshëm me dijeni për vendimin.
Rastet përfaqësojnë akuzat e para ndërkombëtare që janë ngritur që nga fillimi i konfliktit dhe vijnë pas muajsh pune nga ekipet speciale të hetimit. Ata pretendojnë se Rusia rrëmbeu fëmijë dhe adoleshentë ukrainas dhe i dërgoi në kampet ruse të riedukimit dhe se Kremlini synoi qëllimisht infrastrukturën civile.
Kryeprokurori, Karim Khan, fillimisht duhet t'i paraqesë akuzat e tij një paneli gjyqtarësh të procedurës paraprake, të cilët do të vendosin nëse janë përmbushur standardet ligjore për lëshimin e urdhër-arrestit, apo nëse hetuesit kanë nevojë për më shumë prova.
Nuk ishte e qartë se kë kishte planifikuar të akuzonte gjykata në secilin rast. E pyetur për të konfirmuar kërkesat për urdhër-arrest, zyra e prokurorit tha: “Ne nuk diskutojmë publikisht specifikat që lidhen me hetimet në vazhdim”.
Disa diplomatë dhe ekspertë të jashtëm thanë se ishte e mundur që Presidenti Vladimir Putin i Rusisë të akuzohej, pasi gjykata nuk njeh imunitet për një kreu të shtetit në rastet që përfshijnë krime lufte, krime kundër njerëzimit ose gjenocid.
Megjithatë, gjasat për një gjyq mbeten të pakta, thonë ekspertët, pasi gjykata nuk mund të zhvillojë çështjet në mungesë dhe Rusia nuk ka gjasa të dorëzojë zyrtarët e saj.
Kremlini ka mohuar akuzat për krime lufte, por hetuesit ndërkombëtarë dhe ukrainas kanë mbledhur prova të fuqishme të një sërë mizorish që nga ditët e para të pushtimit.
