Berisha: Zgjedhjet e 14 majit janë zgjedhje për ndryshimin, sa të jem gjalle të parët ju vendos ju
Nga Pogradeci ku prezantoi kandidatin për këtë bashki, Sali Berisha u shpreh se zgjedhjet janë lokale dhe janë për hallet e dertet e njerëzve, të rrugicave, të blloqeve dhe të infrastrukturës.
Ai tha se këto zgjedhje janë një mesazh që qytetarët e Shqipërisë dhe Pogradecit duhet të japin, se nuk mund të pranojmë më kurrë një organizatë kriminale që kërkon të zhdukë opozitën nga vendi.
Berisha: Zgjedhjet e vërteta është që janë lokale. Janë për ju, për hallet e dertet tuaja, të rrugicave, të blloqeve, të infrastrukturës suaj. Ju garantoj që, Zini Tollozhina do bëjë çdo përpjekje që ato që ardhura t’ua kthejë ju në mirësi, në shërbime, në infrastrukturë. Por, këto zgjedhje janë më shumë sesa lokale. Këto zgjedhje janë një mesazh që qytetarët e Shqipërisë dhe Pogradecit duhet të japin, se nuk mund të pranojmë më kurrë një organizatë kriminale që kërkon të zhdukë opozitën nga vendi.
Nuk mund të pranojmë ne kurrë, një grup, një organizatë kriminale, e cila për vete jeton në luks, e cila punon ditë e natë për të pasuruar veten dhe klientelën e vet, dhe nuk punon aspak për qytetarët, por i përçmon ata. Kurrë nuk kam qenë dhe nuk do jem kundër të pasurve, por sa të jem gjallë në politikë të parin do të vendos qytetarin, hallet dhe dertet e tij, problemet e tij, dhe nuk do bëhem kurrë pjesë e asaj amalgame, pushtet oligarki që iu thith gjakun çdo ditë qytetarëve me vjedhjet dhe plaçkitjet e tyre. Zgjedhjet e 14 majit, janë zgjedhje për ndryshimin. Ne sot jemi njerëzit më të vjedhur dhe më të varfër në Evropë. Ne kemi pasur udhëtim të vështirë. Pasuritë e Shqipërisë këtu kanë qenë përrallore, të cilat ky regjim i shndërroi në mallkim për shqiptarët, në pasuri për vete dhe oligarkët e tij.

