Berisha: McGonigal e udhëtimet me çarter, Rama nuk shkel në parlament, nuk përballon dot opozitën

Nga Pogradeci ku prezantoi kandidatin për këtë bashki, Sali Berisha u shpreh se nuk ka shqiptar që do një Shqipëri pa opozitë, edhe pse për këtë po përpiqet Rama.

Ai tha se Rama shkelmon Kushtetutën dhe nuk lejon komisionet hetimore të saj për udhëtimet dhjetëra e dhjetëra milionë euro, për lukset e tij, për aferat e tij kriminale me McGonigal e të tjerë.

Berisha: Nuk ka shqiptar që do një Shqipëri pa opozitë. Ju e shihni Edi Ramën, sesi përpëlitet gjatë këtij viti. I frikësuar dhe i tmerruar nga opozita. Se si nuk shkel në parlament, se nuk përballon dot opozitën. Se si shkelmon Kushtetutën, dhe nuk lejon komisionet hetimore të saj për udhëtimet dhjetëra e dhjetëra milionë euro, për lukset e tij, për aferat e tij kriminale me McGonigal e të tjerë.

Qytetarët shqiptarë nuk janë kurrë dakord me një fasadë opozitë. Edi Rama përpiqet të blejë opozitën me Alibravën dhe Alibashë, duke blerë siç bleu kryezbuluesin e SHBA-ve. Ka njerëz që shiten dhe blihen, por ka dhe të tjerë që nuk shiten dhe nuk blihen kurrë. Ka të tjerë që jetojnë me djersën e ballit, dinjitetin e tyre. Ka të tjerë që duan të jenë të lirë, dhe këta janë shumica e shqiptarëve. Ndaj koha është të bashkohemi. Të firmosim ndryshimin më datën 14 maj.