Dëmshpërblim për “5 Majin”, Këlliçi: Nuk është premtim elektoral por detyrim ligjor
Nga zona e "5 Majit", kandidati për Bashkinë e Tiranës Belind Këlliçi garantoi dëmshpërblim për të gjithë banorët që u janë shembur shtëpitë. Ai tha se ky nuk është një premtim elektoral por detyrim ligjor.
“Unë Belind Këlliçi, para jush po ju them që do të dëmshpërblej gjithë banorët të cilëve Erion Veliaj u ka prishur shtëpitë, me vlerën e tregut pa diskutim. Nuk jeni vetëm ju, kjo ka ndodhur në Shkozë, Laprakë, Unazë të Re, Myslym Keta dhe këto shembje bëhen për t`ju vjedhur pronën qytetarëve".
Ky ishte zotimi para banorëve të zonës së "5 Majit" i Belind Këlliçit që kërkon drejtimin e Bashkisë së Tiranës si përfaqësues i Partisë Demokratike.
"Ajo që ka ndodhur këtu në “5 maj” është në kufijtë e genocidit. Nuk mundesh t’u shkosh qytetarëve të tu me gaz lotsjellës, t`i terrorizosh në mes të natës, të nxjerrësh fëmijët nga shtëpitë në mes të rrugës".
Dëgjoi shqetësimet e banorëve që ende nuk kanë informacion se kur do t`i marrin shtëpitë e tyre, e njoftoi se ata do të kenë përfaqësuesin e tyre në Këshillin Bashkiak.
“Ju si grup interesi, ata që janë prekur nga rindërtimi dhe projektet korruptive në zonën e “5 majit”, Laprakë, Shkozë e zona të tjera, do të kenë përfaqësuesin e tyre në Këshillin Bashkiak të dalë me propozimin tim. Premtoj se radhën tjetër do të jem me anëtarin tuaj të Këshillit Bashkiak në krah.”
Kandidati për Bashkinë e Tiranës premtoi se zona e "5 Majit" do të zhvillohet e nuk do të jetë më një provincë siç e cilësuan vetë banorët.

