Lajçak nis sot vizitën dyditore në Kosovë, përgatitje për raundin e ri të dialogut në 18 Mars
Mirosllav Lajçak ka nisur këtë të enjte vizitën dy ditore në Prishtinë. I dërguari i Bashkimit Europian për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, nëpërmjet vizitave ka si synim përgatitjet për takimin e rradhës që do të mbahet në Ohër më 18 Mars.
I dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Mirosllav Lajçak, ka nisur këtë të enjte vizitën dyditore në Prishtinë, që ka si synim përgatitjet për raundin e ri të dialogut.
Lajçak gjatë vizitës në Prishtinë pritet të takohet me krerët e institucioneve shtetërore dhe me ata të partive opozitare.
Sipas Be-së, Lajçak pas vizitës në Kosovë, do të shkojë në Beograd më 13-14 Mars.
Vizita e Lajçakut në Prishtinë dhe Beograd vjen pas takimit të 27 shkurtit, kur kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, e pranuan planin evropian për normalizimin e raporteve.
Takimi tjetër I dialogut është caktuar të mbahet më 18 Mars në Ohër të Maqedonisë së Veriut dhe sipas BE-së, qëllimi kryesor tani është që palët të arrijnë pajtim rreth një plani si dhe të modaliteteve për zbatimin e propozimit evropian.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, deklaroi më 8 mars, se po vazhdojnë përgatitjet për takimin në Ohër.
Pavarësisht se e pranuan planin që të dy vendeve ju dorëzua vitin e kaluar, Kurti dhe Vuçiq nuk e nënshkruan dokumentin gjatë takimit të 27 shkurtit.
Kurti ka deklaruar se ishte i gatshëm ta nënshkruante propozimin evropian - Marrëveshjen drejt normalizimit mes Kosovës dhe Serbisë. Por, sipas tij, këtë gatishmëri nuk e pati pala serbe.
Blloku evropian ka thënë se pret që puna për zbatimin e propozimit të finalizohet para takimit të radhës të Këshillit Evropian, që mbahet më 23-24 mars.
Propozimi evropian synon që të çojë palët drejt një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse për normalizimin e raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Dokumenti prej 11 nenesh – që u bë publik më 27 shkurt nga BE-ja – nuk përmend në mënyrë specifike njohjen e ndërsjellë, që Qeveria e Kosovës ka thënë se duhet të jetë në qendër të një marrëveshjeje eventuale për normalizim të raporteve.
Megjithatë, në nenin 2 të propozimit thuhet se palët duhet të respektojnë pavarësinë, sovranitetin dhe integritetin territorial të njëra-tjetrës.
Ky dokument, që fillimisht njihej si propozimi franko-gjerman, ka mbështetjen edhe të Shteteve të Bashkuara.