Luftë për territor, vrasja e dy shqiptarëve në Shkup "larje hesapesh" mes bandave kriminale
Shqiptarët Jeton Krivanjeva, i njohur me nofkën “Zhilla” dhe Enis Iseni, me nofkën “Llaci” , kanë vdekur në shkëmbimin e zjarrit të mbrëmshëm në kafenenë Shisha Bar.
Mediat maqedonase raportojnë se viktimat shiheshin shpesh në shoqërinë e zyrtarëve të lartë të BDI-së dhe fotografitë me ta mbushën profilet e Krivanjevës dhe Isenit në Facebook.
Ministria e Brendshme maqedonase ka njoftuar se mbrëmë para orës 20:00 në një objekt hoteliere në rrugën “Samoilova” në Shkup, pesë persona të veshur me të zeza me armë zjarri kanë shtënë në drejtim të J.K. (37) dhe E.I. (28).
Të dy vdiqën në vend, ndërsa A.T. (34) nga Shkupi ka mbetur i plagosur dhe është transportuar në Spitalin e Përgjithshëm të qytetit me plagë të lehta në këmbë dhe në krah.
Sulmuesit më pas janë larguar me veturën “Audi 6” me targa false, të cilës i kanë vënë zjarrin në afërsi të Gorno Orizarit, përballë pikës kufitare Bllacë.
Jozyrtarisht mësohet se në makinë janë djegur automatikët me të cilët kanë kryer vrasjet dhe dy celularë.
Përballjet e këtyre grupeve të drogës në vitet e kaluara shpesh kanë përfunduar me vrasje.
Në nëntor të vitit 2013, në moshën 46 vjeçare, në çajtoren e tij “Kai Jejlo” në Çento të Shkupit, u vra pronari i një shitoreje, Xhelal Ajeti i njohur si "Xhelo".
Sulmi ndaj tij është i ngjashëm me atë të djeshmin, një vrasës i maskuar si fantazmë ka hyrë me armë në çajtore dhe ka qëlluar me të paktën 30 plumba drejt Xhelos.
Në shtator të vitit 2018, u vra edhe vëllai i tij, Naim Ajeti, i cili u ndoq nga automjeti “Rooseveltova” në Shkup dhe u ekzekutua.
Katër vite më parë, në hotelin “Alexander Palace”, pesë persona me armë fantazmë qëlluan mbi anëtarët e Belanocës.
Nga incidenti mbeti i plagosur vetëm një person, pasi sulmit ju përgjigj një polic i armatosur.
Zhilla më pas ishte objektivi i sulmit në hotelin “Alexander Palace”.
Dy vite më parë Kamer Idrizi, një nga personat e pranishëm në “Alexander Palace”, u vra në Butel.
Është e qartë se është një betejë për epërsi, kontroll të tregut dhe hakmarrje mes grupit kriminal nga Grcec i Shkupit dhe grupit kriminal Belanoca nga Çento dhe Haraçinova, thonë njohës të botës së nëntokës së Shkupit.
Sulmuesit janë në arrati.
Prokuroria po mbledh prova nga vetura si dhe janë duke u shqyrtuar video incizimet nga kamerat e lokalit dhe rrugës në hyrje të Çarshisë së Vjetër të Shkupit.
Të gjitha gjurmët dhe provat materiale të siguruara dhe të mbledhura nga vendngjarja në objektin hotelierik ku ndodhi ngjarja janë dorëzuar për ekspertizë.
