Raporti: Më shumë se gjysma e botës do të jetë obeze deri në vitin 2035

Më shumë se gjysma e popullsisë së botës do të jetë mbipeshë ose obeze deri në vitin 2035, ka paralajmëruar një raport i ri.

Federata Botërore e Obezitetit ka paralajmëruar se 51% e botës, ose më shumë se 4 miliardë njerëz, do të jenë obezë ose mbipeshë brenda 12 viteve të ardhshme nëse qeveritë nuk ndërmarrin veprime të rëndësishme për ta frenuar atë.

Aktualisht, rreth 2.6 miliardë njerëz në mbarë botën, 38% e popullsisë së botës, janë mbipeshë ose obezë.

Sipas raportit, normat e obezitetit po rriten veçanërisht shpejt tek fëmijët dhe në vendet me të ardhura të ulëta ose të mesme në Azi dhe Afrikë.

“Rritjet më të mëdha do të shihen në vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme, ku burimet e pakta dhe mungesa e gatishmërisë do të krijojnë një “stuhi” të përsosur që do të ndikojë negativisht më shumë tek njerëzit që jetojnë me obezitet.”

Deri në vitin 2035, obeziteti në fëmijëri pritet të jetë të paktën dyfishi i shkallës së parë në vitin 2020, me një rritje 100% - rreth 208 milionë - te djemtë nën 18 vjeç, dhe një rritje prej 125% - rreth 175 milionë - tek vajzat e së njëjtës moshë.

“Është veçanërisht shqetësuese të shohësh që normat e obezitetit të rriten më shpejt tek fëmijët dhe adoleshentët, qeveritë dhe politikëbërësit në mbarë botën duhet të bëjnë gjithçka që munden për të shmangur kalimin e kostove shëndetësore, sociale dhe ekonomike tek brezi i ri.”

Raporti përdor indeksin e masës trupore (BMI) për vlerësimet e tij. Një rezultat BMI mbi 25 është mbipeshë dhe mbi 30 është obez.

Federata parashikon që ndikimi ekonomik i mbipeshës dhe obezitetit do të arrijë në 4.32 trilion dollarë, rreth 3% e PBB-së globale, çdo vit deri në vitin 2035.

Raporti pranon ndikimin e ndryshimeve klimatike, kufizimet e COVID-19, ndotësit kimikë, si dhe promovimin e ushqimeve jo të shëndetshme dhe sjelljen e industrisë ushqimore si faktorë që kontribuojnë në rritjen e obezitetit.