Më shumë se 2 ton kokainë, me vlerë 150 milionë euro, u hodhën në plazhet në veri të Francës

Më shumë se dy ton kokainë u hodhën në plazhet franceze në Kanalin anglez fundjavën e kaluar dhe këtë të mërkurë, tha sot një burim i njohur me hetimin.

Vlera e drogës në treg llogaritet të arrijë në 150 milionë euro.

Të dielën në mëngjes, disa çanta me rreth 850 kilogramë kokainë u gjetën në plazhin e Reville në Francën veriperëndimore.

Dje, gjashtë thasë të tjerë u lanë në Vic-sur-Mer.

Këtë herë ata përmbanin 1.5 ton kokainë, tha burimi, duke konfirmuar një raport nga gazeta lokale Ouest-France.

2.3 ton kokainë është një rekord “historik”.

Prokuroria e Herburgut ka marrë përsipër hetimin e çështjes.

Deri më tani nuk dihet se nga kanë ardhur çantat e mbyllura hermetikisht.

Ata mund të jenë hedhur në det nga trafikantët për të shmangur një inspektim, ose mund të kenë rënë aksidentalisht nga një varkë.

Një tjetër burim, gjithashtu i afërt me hetimin, tha se nganjëherë çantat me drogë nuk mbahen brenda anijes.

Kontrabandistët i lidhin dhe i hedhin në det, veçanërisht nëse deti është i trazuar.

Nuk është hera e parë që thaset me kokainë derdhen në plazhet franceze.

Në fund të vitit 2019, 1.6 ton u gjetën në plazhet nga Saint-Jean-de-Luz deri në Camaret, ndërsa majin e kaluar, pako me peshë totale 21 kilogramë u gjetën në një plazh në Berque, në Francën veriore.

Në vitin 2022 në Francë u gjetën dhe sekuestruan 27.7 ton kokainë, një sasi e rritur me 5% krahasuar me një vit më parë.