Paga 40 mijë lekë nga 1 prilli
Nga data 1 prill të gjithë të punësuarit që marrin pagë minimale do të kenë 6 mijë lekë më shumë në llogari.
Vendimi është marrë në mbledhjen e qeverisë, ndërsa Ministrja e Financave deklaron se edhe rrogat mesatare kanë njohur shtesë.
"Nga 34 mijë lekë shkon në 40 mijë lekë. Gjatë vitit të kaluar ka pasur një rritje të pagave, për 9 mujorin e vitit 2022 pagat mesatare në sektorin privat janë rritur me 12.3%."
Për mediat Delina Ibrahimaj deklaron se vendimi nuk ka të bëjë me fushatën elektorale të 14 majit.
"Përgjigjja është jo, nuk është një politikë që lidhet me zgjedhjet apo politikat elektorale por shkojnë në mbështetje të gjithë punonjësve që janë pagamarrës minimalë."
Shtesa është vendosur edhe për ushtarakët, ndërsa ministri Niko Peleshi ftoi të rinjtë të jenë pjesë e Forcave të Armatosura.
"Rritje e pagës me 7% për të gjithë ushtarakët, nga ushtari bazë te gradat më të larta. Kjo është një arsye më tepër që të rinjtë të bëhen pjesë e Forcave të Armatosura, përkon me nisjen e fushatës së re të rekrutimit."
Qeveria ka miratuar edhe skemën për financimin e transportit për mësuesit që punojnë larg vendbanimit të tyre.
