Agron Malaj sërish me “flamur të kuq”, Bashkia Mat i jep tender kompanisë që kërkoi më shumë

Bashkia e Matit ka mbyllur prokurimin e radhës me flamur të kuq. Për rikosntruksionin e pallatit të kulturës në qytetin e Burrelit, institucioni që drejtohet nga Agron Malaj, ia ka dhënë kompanisë që kërkoi 27 mijë euro më shumë se konkurrenti tjetër që bashkia Mat e ka skualifikuar nga gara. 

Bashkia e Matit sërish ka dhënë një tender duke skualifikuar ofertën më të mirë nga gara.

Bëhet fjalë për procedurën e mbyllur në datën 24 shkurt, i cili kishte si objekt rikonstruksionin e pallatit të kulturës “Shefqet Doda “ në qytetin e Burrelit. 

Në prokurimin me vlerë 158 mijë euro, kanë marrë pjesë dy kompani dhe fituese janë shpallur bashkimi i operatorëve “ASI INVEST” dhe “COMPANY RIVIERA 2008” të cilët kishin kërkuar 27 mijë euro më shumë se kompania tjetër që u skualifikua nga gara, për të realizuar punën.

Ndërsa subjekti “2N” është eleminuar nga gara me arsyetimin se katalogu që përshkruan pllakat e gurit që do të përdoren në fasadën e pallatit të kulturës, nuk provohet të jetë dokument i prodhuesit autorizues për produktin që deklarohet.

Por në verifikimin e bërë edhe nga platforma Open Procurment, tenderi është shënuar me flamur të kuq me arsyetimin e skualifikimit të ofertës më të mirë. 

Për më tepër kompania fituese ka kërkuar sa 97% të vlerës së parashikuar për të kryer punën për 4 muaj nga data e nënshkrimit të kontratës.

Ky është një tjetër prokurim me flamur të kuq që i shtohet institucionit që drejtohet nga Agron Malaj, që gjatë mandatit të tij ka bërë 50 prokurime të tilla. E megjithatë pavarësisht se SPAK ka shallur prioritet prokurimet ende nuk ka një nismë hetimore.