Ura mbi Bunë, Meta: Rama e ka premtuar sa herë është takuar me ndonjë autoritet të Malit të Zi
Mbledhja e përbashkët e qeverisë shqiptare dhe asaj malazeze në Podgoricë ishte në fokus të deklaratave të kreut të Partisë së Lirisë, Ilir Meta, në mbledhjen e Kryesisë së kësaj partie këtë pasdite.
Meta u ndal te premtimi për ndërtimin e urës mbi Bunë me bashkëfinancim.
Meta: Besoj se dhe sot e patë sesi u premtua për herë të pestë apo të gjashtë ajo ura që do të bëhet mbi Bunë. Sa herë është takuar me ndonjë autoritet nga Mali i Zi këtë premtim ka bërë por ajo që ishte sjellja më e pacipë dhe tallje, ishte ajo që duhet të paguante më shumë Mali i Zi për Urën mbi Bunë, meqënëse i paska Mali i Zi rrogat më të larta. Sepse ky nuk ka lekë për të bërë ura ky ka lekë vetëm dhe taksa dhe borxhe që merr në emër të shqiptarëve vetëm për të vjedhur për veten e tij dhe bandën e tij.
Meta ndër të tjera kërkoi angazhimin e drejtuesve, anëtarëve dhe simpatizantëve të Partisë së Lirisë për të çuar deri në fund betejën për triumfin e lirisë dhe pluralizmit politik përballë qeverisë Rama, të cilës i referohet si bandë që ka kapur të gjitha institucionet e shtetit.
Meta: Përpara se të vazhdojmë me rendin e ditës, e sidomos me përshkallëzimin e organizimit dhe marrjes së masave lidhur me zgjedhjet e 14 majit dhe me ngritjen dhe miratimin e komisionit të vlerësimit për kandidatët për anëtarë të Këshillave Bashkiake për këto zgjedhje do të doja të theksoja dhe një herë tjetër rëndësinë e ndërgjegjësimit të të gjithë drejtuesve tanë, të gjithë anëtarëve dhe simpatizantëve për këtë betejë të jashtëzakonshme që po zhvillojmë dhe ta çojmë deri në fund. Deri në triumfin e lirisë dhe të pluralizmit politik përballë kësaj bande që ka kapur të gjitha institucionet e shtetit dhe kërkon të vrasë shpresën dhe besimin tek ardhmja duke shkretuar vendin dhe vatrat e çdo familjeje shqiptare.

