“Ura” Shqipëri-Mali i Zi, 11 marrëveshje mes qeverive Rama-Abazoviç: Më shumë se fqinjë
Mali i Zi do të presë në qershor takimin e radhës së Open Balkan, ndërsa Shqipëria në vjeshtë mbledhjen e radhës së Procesit të Berlinit. Kryeministrat e dy vendeve pas mbledhjes së përbashkët të qeverive, thanë se Ballkani i Hapur ka rijetëzuar Procesin e Berlinit. Në Podgoricë u nënshkruan 11 marrëveshje, mes të cilave dhe ajo për ndërtimin e një ure mbi lumin Buna si bashkëfinancim. Edi Rama dhe Dritan Abazoviç një mesazh direkt e kishin edhe për Albin Kurtin e Aleksandër Vuçiç.
Qeveria e Shqipërisë dhe Malit të Zi u bënë bashkë në Mal të Zi, ku nënshkruan 11 marrrëveshje, memorandume dhe plane veprimi.
Ura e re mbi lumin Buna me vlerë 20 mln USD që do të ndërtohet si bashkëfinancim ishte kyesorja.
Rama: Projektin e zbatimit e kemi realizuar me fondet tona, tani me fonde të përbashkëta do të bëjmë dhe urën. Siç i thashë dhe Dritanit, këtu në Mal të Zi i keni rrogat me të larta dhe nuk shkon që t'ua paguajë Shqipëria dhe urën.
Marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Malit të Zi i cilësuan shembull dhe më shumë se fqinjësore, por jo të gjitha vendet e rajonit kanë këtë nivel bashkëpunimi.
Mesazhet direkte të Edi Ramës dhe Dritan Abazoviç shkuan për Albin Kurtin dhe Aleksandër Vuçiç që këtë të hënë u ulën përballë në kërkim të marrëveshjes së normalizimit të marrëdhënieve.
Abazoviç: Qeveria e Malit të Zi, maksimalisht e përkrah dialogun mes Serbisë dhe Kosovës. Plani franko-gjerman është një plan i mirë, duhet të kemi normalizim në rajon.
Rama: Të lutem që çështja mes Serbisë dhe Kosovës të hyjë në rrugën e një dialogu pa kthim dhe më shpejt sesa vonë të jetë një çështje e të dyja vendeve dhe të mos jetë nevoja që superfuqitë ti marrin për veshi sa herë që grinden në oborrin pas shkollës.
Open Ballkan i ndan liderët e Ballkanit që i bëri bashkë procesi i Berlinit.
Takimi i radhës i nismës rajonale do të mbahet në muajin qershor në Mal të Zi, ndërsa mbledhja e procesit të nisur nga Angela Merkel në vjeshtë në Shqipëri ku pritet të jetë i pranishëm dhe kancelari gjerman.
Rama: Nuk ka asnjë kundërshtim mes të dyjave, janë dy nisma komplomentare të cilat kanë shumë nevojë për njëra-tjetrën.
Rasti i dhunimit të profesorit Petraq Milo nga policët malaeze në kufi po ashtu zuri vend në pyetjet e gazetarëve.
Abazoviç kërkoi falje dhe theksoi ndëshkimin, ndërsa Rama "flakën" që sipas tij ndezën patriotët në Shqipëri.
Rama: Këto janë rastet që mezi presin për të ndezur flakën e nacionalizmit dhe për të kërkuar që të ndërpriten marrëdhëniet diplomatike me fqinjin e radhës.
Kreu i qeverise shqiptare vlerësoi faktin që kryeministri i Malit të Zi iu përgjigj pyetjeve në shqip, ndërsa ai vetë tha se flet vetëm gjuhën që i njeh rajonit.
Rama: Më vjen keq që nuk flas gjuhën tuaj kështu që unë po ju përgjigjem shqip, në të vetmen gjuhë që i njoh këtij rajoni.
Edhe pse moment më kulmor, nuk munguan as batutat.
Rama: Edhe unë të ndezur e kisha dritën, por ky djali e kishte gishtin më të ndjeshëm.
Kokat e dy shqiponjave nga flamujt kombëtare që formonin një urë ishe logoja e takimit të dy qeverive që përcillte mesazhin e bashkëpunimit.
