Shkrimtarët, viktima të komunizmit/ Flutura Açka: Realizimi i veprave të tyre, të detyruara nga sistemi

Projektligji i propozuar nga demokratët për ndëshkimin publik të regjimit komunist, ka risjellë edhe njëherë debatin për punën e shkrimtarëve që kanë ngritur në piedestal diktaturën. Deputetja Flutura Açka thekson se ata nuk duhet të shihen si fajtorë, por si viktima të sistemit.

Shkrimtarja dhe deputetja Flutura Açka solli edhe njëherë debatin për shkrimtarët që u përdorën nga regjimi komunist, për t’i ngritur vlerat drejuesve të kohës.

Sipas saj ata janë viktima dhe jo fajtorë, pasi siç shprehet ajo ka qenë më e ndershme puna e tyre në atë kohë, sesa ata që thurin lavde për liderët e sotëm.

"Nuk ua kemi shpjeguar shqiptarëve që ata janë viktima të atij realiteti, jo fajtorë.Është më e ndershme ajo që kanë bërë ata, kanë shkruajtur një poezi për Enverin në atë kohë, sesa këta që shkruajnë sot romane për Sali Berishën dhe që shkruajnë libra e poezi për Edi Ramën në kohë lirie."

Reagimi i Açkës erdhi gjatë diskutimeve për projektligjin “mbi  ndërgjegjësimin, kujtesën kolektive, ekspozimin dhe ndëshkimin publik të regjimit totalitar komunist”, në Komisionin e Medias.

Enkelejd Alibeaj gjatë prezantimit të këtij projektligji tha se ka marrë si model eksperiencën gjermane dhe atë çeke.

"Është praktikë e marrë nga vende të Europës lindore, edhe nga Gjermania në këtë rast."

Deputetët demokratë dhe socialistë u shprehën pro nismës së Alibeajt, ndërsa deputeti Florenc Spaho tha se mazhoranca do ti votojë këto ndryshime ligjore, duke shtuar se asnjë nga kolegët e tij nuk ka dëshirë të mbrojë të shkuarën komuniste.