Drejtori i Informacionit të RTV Ora, Brahim Shima konfirmon gjobën 500 milionëshe: Goditja e radhës përmes Tatimeve
Drejtori i informacionit të RTV Ora dhe Ora News Brahim Shima e quan vendim politik dhe presion të qeverisë për të bërë atë që nuk mundi ta bëjë 4 muaj më parë, mbylljen e televizionit Ora.
Në studion e lajmeve në Ora News. Shima konfirmoi vëretësinë e denoncimit të bërë pak më herët edhe nga kryedemokrati Sali Berisha i cili deklaroi se ekipi i ish-zyrtarit të lartë të FBI-së, i arrestuar tashmë nga drejtësia amerikane, Charles McGonigal, Dorian Duçka dhe Agron Neza u kanë kërkuar biznesmenit dhe drejtuesit të RTV Ora Ylli Ndroqi miliona euro për ta hequr nga lista e zezë për të cilin z. Ndroqi ka bërë dhe një kallëzim.
Berisha u shpreh se teksa ai ka refuzuar të paguajë gjobën e mafiozëve Duçka-Neza, pas këtij akti, sipërmarrjes së tij të konfiskuar në mënyrën më antiligjore, Edi Rama ka urdhëruar t’i vendosë edhe 500 milionë të tjera gjobë para dy ditësh.
Por Shima tha se bëhet fjalë për një gjobë që tashmë vjen përmes Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, e cila në thelb nuk është as më pak dhe as më shumë se mbyllje e këtij televizioni dhe hedhjen në rrugë të dhjetëra njerëzve që janë pjesë e stafit të këtij televizioni.
Brahim Shima: Janë 500 milion shifra e saktë. Ti vendosësh gazetarët sidomos pas këtij vendimi të gjykatës përballë një pyetsori është një shenjë terrori ndaj tyre. Një shenjë presioni që kush mundet të largohet dhe ta lërë këtë televizion. Një pjesë e madhe qëndruan deri në fund të vendimit dhe më pas kur erdhi pyetsori i tatimorëve sigurisht që largimet ishin dhe më të mëdha nga RTV Ora pasi pakkush guxonte të përballej me një presion të tillë. Vetë kjo prezencë tatimore solli një tkurrje të mëtejshme të medias nga masat që ishin marrë nga bordi, solli dhe një panik të mëtejshëm. Janë të rrallë gazetarët që mund të durojnë një presion të tillë dhe të mund të qëndrojnë e të punojnë të pavarur. Kjo duket dhe në performancën e RTV Ora ku duket se nuk është e njëjta performancë që ka qenë. Tashmë është i dukshëm ndryshimi dhe kjo vjen nga presionet.
"Vendosja e një gjobe të tillë është një vendim nga jashtë nesh për ta mbyllur një ekran të tillë duke mos lënë hapsirë për të vijuar puna në mënyrë të pavarur. Është një vendim i mirëorganizuar. Jemi në konfiskim nga shteti, në menaxhim të shtetit dhe në këtë moment vjen dhe një goditje tjetër. Me të dhënat që kam unë, është një gjobë e papërballueshme për tu shlyer."



