Meta: Beteja jonë përfundon me triumfin e lirisë dhe të pluralizmit politik përballë bandës së Ramës

Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta në mbledhjen e kryesisë së kësaj partie u shpreh se janë marrë masa me përshkallëzimin e organizimit dhe marrjes së masave lidhur me zgjedhjet e 14 majit.

Meta theksoi se beteja do të shkojë deri në triumfin e lirisë dhe të pluralizmit politik përballë kësaj bande që ka kapur të gjitha institucionet e shtetit dhe kërkon të vrasë shpresën.

Ai shtoi se Rama nuk ka lekë për të bërë ura, por ka lekë vetëm për taksa dhe borxhe që merr në emër të shqiptarëve vetëm për të vjedhur për veten e tij dhe bandën e tij.

Meta: Përpara se të vazhdojmë me rendin e ditës, e sidomos me përshkallëzimin e organizimit dhe marrjes së masave lidhur me zgjedhjet e 14 majit dhe me ngritjen dhe miratimin e komisionit të vlerësimit për kandidatët për anëtarë të Këshillave Bashkiake për këto zgjedhje. Do të doja të theksoja dhe një herë tjetër rëndësinë e ndërgjegjësimit të të gjithë drejtuesve tanë, të gjithë anëtarëve dhe simpatizantëve për këtë betejë të jashtëzakonshme që po zhvillojmë dhe ta çojmë deri në fund. Deri në triumfin e lirisë dhe të pluralizmit politik përballë kësaj bande që ka kapur të gjitha institucionet e shtetit dhe kërkon të vrasë shpresën dhe besimin tek ardhmja duke shkretuar vendin dhe vatrat e çdo familjeje shqiptare.

Besoj se dhe sot e patë sesi u premtua për herë të pestë apo të gjashtë ajo ura që do të bëhet mbi Bunë. Sa herë është takuar me ndonjë autoritet nga Mali i Zi këtë premtim ka bërë por ajo që ishte sjellja më e pacipë dhe tallje, ishte ajo që duhet të paguante më shumë Mali i Zi për Urën mbi Bunë, meqenëse i paska Mali i Zi rrogat më të larta. Sepse ky nuk ka lekë për të bërë ura ky ka lekë vetëm dhe taksa dhe borxhe që merr në emër të shqiptarëve vetëm për të vjedhur për veten e tij dhe bandën e tij.

Duke akuzuar qeverinë Rama se po shpopullon vendin ai ftoi qytetarët të dalin masivisht me 3 mars në mbrojtje të lirisë dhe pluralizmit politik.

Meta: Besoj se e patë dhe raportin e sotëm, ku Shqipëria përsa i takon çështjeve të inovacionit është vendi i fundit në rajon patjetër dhe në kontinent por është dhe shumë vende mbrapa Bjellorisë së Lukashenkos. Një vend që ka 15 vite anëtar i NATO-s që duhet të kishte hyrë me kohë në Bashkimin Europian, që kapitalin më të çmuar ka patur dhe ka të rinjtë. Pse? Sepse kjo është sjellja armiqësore e kësaj bande ndaj intelektualëve, ndaj të rinjve, ndaj njerëzve të progresit të cilët kërkon ose t’i largojë nga vendi, ose t’i korruptojë, ose t’i thyejë përmes vështirësive ekonomike dhe sociale.

Ndaj dhe ju ftoj të gjithë juve dhe të gjithë qytetarët shqiptarë që më 3 mars së bashku me Partinë Demokratike dhe të gjithë qytetarët shqiptarë t’i themi fjalën tonë të fortë, në mbrojtje të lirisë dhe pluralizmit politik dhe të japim mesazhin e qartë të shporrjes së kësaj bande sa më parë në mënyrë që shqiptarët të mos lëngojnë më por edhe t’i japin një herë e përgjithmonë fund këtij tranzicioni tejet të lodhshëm dhe rraskapitës ndaj vendit tonë dhe popullit tonë.