Turqia nis hetime për 612 njerëz pas tërmeteve vdekjeprurëse
Mbi 600 persona janë në qendër të hetimeve në lidhje me ndërtesat e shembura pas tërmeteve të 6 shkurtit në Turqi.
Ministri turk i Drejtësisë, Bekir Bozdag, ka thënë se 184 prej 612 të dyshuarve janë në paraburgim, në pritje të gjyqit.
Në mesin e të ndaluarve përfshihen udhëheqës të kompanive të ndërtimit dhe menaxherë të tyre.
Shkatërrimi dhe dëmtimi rëndë i afro 160 mijë ndërtesave nxori në pah shkeljet e rënda të ndërtuesve dhe cilësinë e dobët të punimeve.
Zyrtarët turq thonë se rregullat për ndërtimet do të forcohen dhe zbatimi i tyre do të jetë në lupën e autoriteteve më shumë se kurrë më parë.
Po kështu, do të verifikohen lejet e ndërtimit e do të diskutohen ndëshkime më të rrepta për ata që kanë abuzuar.
Pas gati tre javësh përpjekjesh kërkimi dhe shpëtimi, fokusi i autoriteteve turke tani është zhvendosur në rehabilitimin dhe rindërtimin në 11 provincat e vendit.
Plani fillestar i Turqisë është të ndërtojë 200 mijë apartamente dhe 70 mijë shtëpi fshati me një kosto prej të paktën 15 miliardë dollarë.
Turqia vijon të përballet ende me lëkundje të forta.
Mesditën e të shtunës u regjistrua një goditje me magnitutë 5.3 në provincën qendrore Nigde.
Agjencia turke për Menaxhim të Katastrofave ka thënë se 9.470 pasgoditje e kanë goditur rajonin jugor turk pas tërmeteve të 6 shkurtit.
Zyrtarë të agjencisë kanë thënë se presin që pasgoditjet të vazhdojnë për të paktën dy vjet.
Tërmetet, me qendër në provincën Kahramanmaras, shkaktuan mbi 44 mijë viktima në Turqi ndërsa në Siri numri i të vdekurve ka arritur në gati 6 mijë.
Në të dyja vendet, sipas të dhënave të publikuara nga autoritetet numri i jetëve të humbura i ka kaluar 50 mijë.