Kinë-SHBA përplasen në ajër/ Avioni sulmues kinez “kërcënon” avionin zbulues amerikan

Forcat ajrore të Kinës dhe SHBA shënuan një tjetër incident në ajër të premten në mbrëmje. Një avion vëzhgimi i Marinës së SHBA ndodhej mbi detin e Kinës Jugore, në kohën kur një avion sulmues i Pekinit, i pajisur me raketa ajër-ajër, foli në radio dhe paralajmëroi për shkeljen e hapësirës ajrore. Situata u zgjidh pasi pala amerikane njoftoi itinerarin e fluturimit.

Një avion zbulues i marinës amerikane që po fluturonte mbi Detin e Kinës Jugore, 30 milje nga ishujt e kontestuar Paracel, u përball me një avion sulmues të ushtrisë kineze.

Avioni amerikan P-8 Poseidon, kishte në bord edhe një grup xhirimi të CNN në kohën kur avioni sulmues i ngritur nga një aeroport i Ushtrisë Çlirimtare Popullore të Kinës, i foli në radio.

“Hapësira ajrore kineze është 12 milje detare nga pozicioni juaj aktual. Nuk duhet të afroheni më, ose mbani të gjithë përgjegjësinë”, ishte emsazhi që dha ekuipazhi kinez.

Në pak minuta, avionic luftarak i armatosur me raketa ajër-ajër u shfaq pranë avionit amerikan.

Mjeti ajror kinez ishte aq afër, sa ekuipazhi i CNN mundi të shihte pilotët që kthenin kokën për t'i parë - dhe mund të dallonte yllin e kuq në pendët e bishtit dhe raketat me të cilat ishte armatosur.

Përgjigja nga avioni amerikan ishte fillimisht prezantimi e më pas njoftimi për itinerarin e fluturimit.

“Ky është P-8A i Marinës Amerikane… Unë ju kam nga krahu i majtë dhe kam ndërmend të vazhdoj në perëndim. Unë kërkoj që ju të bëni të njëjtën gjë.”- ishte përgjigja e ekuipazhit të SHBA.

Ky komunikim nuk mori asnjë përgjigje nga avioni luftarak kinez, i cili shoqëroi avionin amerikan për 15 minuta. Ekuipazhi i CNN që ndodhej në bordin e avionit amerikan, tha se kjo është dëshmi e qartë e tensioneve që po shpërthejnë në Detin e Kinës Jugore dhe midis SHBA-së dhe Kinës.

Megjithatë ushtarakët amerikanë në bordin e avionit monitorues thanë se situata të tilla u ndodhin shpesh.

Deti i Kinës Jugore është kthyer në një nyje tensionesh pasi Ishujt mbi të cilët ndodhi kontakti i avionëve së fundi janë subjekt i pretendimeve territoriale të mbivendosura pjesërisht nga Kina, Filipinet, Vietnami, Malajzia, Brunei dhe Tajvani.

Rreth tyre ka një hapësirë ajrore 12 milje që Kina e pretendon por që Uashingtoni nuk e njeh.

Tensionet mes SHBA dhe Kinës janë rikthyer pas balonës përgjuese të shfaqur mbi territorin amerikan e cila u godit nga forcat ajrore dhe u rrëzua ndërkohë që më pas, Uashingtoni dhe Pekini u përfshinë në debate lidhur me furnizimin e rusisë me armatime që mund të përdoren në Ukrainë.