DOKUMENTI/ Tensionet dhe bilbilat në Kuvend, PS nuk tërhiqet, kërkon ndëshkimin e 7 deputetëve demokratë
Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste i ka dërguar kryeparlamentares Lindita Nikolla një kërkesë për ndëshkimin e shtatë deputetëve demokratë pas kaosit të krijuar në Kuvend, javës që shkoi.
Në kërkesën drejtuar kryeparlamentares, kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste shprehet se kërkesa vjen pas pengimit në mënyrë të përsëritur të mbarëvajtjes së seancës plenare nga këta deputetë të cilët bllokuan edhe foltoren.
Masë disiplinore është kërkuar për deputetët Edmond Spaho, Elda Hoti, Sorina Koti, Oerd Bylykbashi, Lindita Metaliaj dhe Gerta Bardeli.
“Deputeti Edmond Spaho, me veprimet e tij të përsëritura cënoi rregullin e seancës plenare duke përdorur mjete zhurmuese përgjatë gjithë kohës duke mos lejuar që deputetët të dëgjoheshin gjatë diskutimeve të tyre.
Në bashkëpunim me deputetët e tjerë të ndodhur aty, pengoi deputeten Antoneta Dhima, e cila do të mbante fjalën e saj sipas rendit të diskutantëve në foltore, duke e larguar atë dhe duke e bllokuar foltoren në mënyrë që deputetja të mos e ushtronte të drejtën e fjalës,” thuhet ndër të tjera në argumentimin e kërkesës nga ana e shumicës socialiste.


