Denoncimi i BIRN, reagon Zhupa: Qeveria po planifikon shkatërrimin e Drilonit si me Butrintin

Deputetja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa, ka konstatuar se qeveria po përgatit planin për shkatërrimin e zonës së rëndësisë kombëtare Drilon- Tushemisht buzë liqenit të Ohrit, duke lejuar ndërtime njësoj si me Parkun Kombëtar të Butrintit, madje me të njejtin skenar dhe të njëjtët protagonistë. 

Zhupa denoncoi sot në Fb se për zonën e rëndësisë kombëtare Drilon- Tushemisht buzë liqenit të Ohrit po përgatitet plani për ndërtime dhe shkatërrimin e saj.

"Asgjë e papritur nga modeli i keqmenaxhimit që njeh qeveria shqiptare dhe në veçanti Ministria e Kulturës, ku edhe në investigimin e BIRN dallojnë përgjigjet “pa këmbë në tokë” të gjuhës nënvlerësuese për UNESCO-n. Skenari ka shumë pika të përbashkëta me Butrintin:

1- Tentakulat e AADF (fondacion privat dhe interesa private)

2- Moskokëçarja dhe injorimi i kërkesave të UNESCO-s, duke e konsideruar si dorë të dytë (këshilluese që nuk e dëgjon njeri)

3- Përdorimi i metodës së copëzimit të mbrojtjes, duke hequr zona të tëra nga mbrojtja dhe duke i destinuar për ndërtime.

4- Shkatërrimi pa asnjë keqardhje i pasurisë dhe trashëgimisë kombëtare me rëndësi botërore.", shprehet deputetja demokrate.

Për më shumë hollësi, Ina Zhupa mbështetet në një invetigim të kryer së fundi nga BIRN.