Italia shkel ligjet europiane/ Paga e shtetësisë diskriminon emigrantët e qytetarët jo europianë
“Paga e nënshtetësisë që Italia aplikon për të ndihmuar punonjësit e papunë drejt një integrimi në sistemin e punës është diskriminuese ndaj emigrantëve e ndaj çdo qytetari të huaj që jeton rregullisht në Itali. Kjo e drejtë duhet t’i jepet çdo person që jeton të paktën prej 3 muajsh në Itali pavarësisht kohëzgjatjes së lejes së qëndrimit.”
Bashkimi Europian ka nisur hetim ndaj Italisë për të ashtuquajturën paga e shtetësisë, ose ndihma e pagës mujore që shteti italian jep për punonjësit e papunë e që përmbushin kriteret e paracaktuara nga shteti.
Nuk është një asistencë sociale, por një ndihmë pagese e karikueshme përmes kartës së kreditit postal që arrin rreth 700 euro për çdo person që është në pritje të punësimit.
Paga e shtetësisë u aprovua gajtë qeverisë së Giuseppe Conte e ishte një nga vendimet e premtuara gjatë fushatës elektorale të zgjedhjeve politike më 2018, nga Lëvizja 5 Yje e që hyri në fuqi në mars të 2019 si një normativë për ndihmuar punonjësit e mbetur pa punë në rrugëtim integrimi në sistemin e punësimit, si dhe për të luftuar varfërinë e pabarazinë sociale.
Për Brukselin paga e nënshtetësisë nuk është në linjë me të drejtën europiane për lëvizjen e lirë të punonjësve, të drejtat e qytetarëve europianë rezidentë e atyre nën mbrojtje ndërkombëtare.
Sipas Komisionit Europian, paga e nënshtetësisë diskriminon punonjësit e huaj që jetojnë e punojnë në Itali.
Kjo normativë e aprovuar nga ish-qeveria “Conte” përjashton nga kjo e drejtë të gjithë shtetasit e huaj që nuk kanë nënshtetësi italiane, që nuk janë qytetarë të BE, që nuk kanë lejeqëndrim afatgjatë në Italia e të gjithë ata emigrantë që janë rezidentë në Itali për më pak se 10 vite.
Komisioni Europian thekson se kjo normativë ështe diskriminuese, si dhe shprehet se: “Çdo ndihmë tjetër sociale e përcaktuar nga qeveria italiane duhet të ketë akses tek të gjithë qytetarët dhe ata të huaj që jetojnë me leje të rregullt qëndrimi në Itali për të paktën 3 muaj”.
Brukseli e gjen të papranueshme që Italia të kërkojë që një emigrant të ketë të drejtën e marrjes së pagës së nënshtetësisë vetëm nëse ka të paktën 10 vite rezidencë banimi në Itali.
Institucionet europiane shkojnë dhe më tej duke e konsideruar se paga e nënshtetësisë është diskriminuese dhe ndaj azilkërkuesve për mbrojtje ndërkombëtare në Itali.
Italia ka dy muaj kohë t’i përgjgjigjet sinjalizimeve të Bruskelit e të motivoi vendim marrjet e saj në këtë cështje
Pas zgjedhjeve të 25 shtatorit e ardhjes në fuqi të qeverisë së djathtë të Giorgia Meloni, prej 1 janarit 2023 paga e nënshtetësisë është ulur nga 18 muaj në 7 muaj.

