Dorëhiqet kryeministrja skoceze, Nicola Sturgeon lë postin pas 8 viteve në krye të qeverisë

Kryeministrja skoceze, Nicola Sturgeon, ka dhënë dorëheqjen nga posti pas 8 vitesh. Teksa shpjegoi vendimin e saj, Sturgeon tha se ka qenë i vështirë, por sipas saj një nga arsyet është brutaliteti në diskursin politik.

Pas tetë vitesh në krye të qeverisë skoceze, Nicola Sturgeon, ka dhënë dorëheqjen nga posti. Liderja e Partisë Kombëtare Skoceze e dha lajmin në një konferencë shtypi të organizuar në Edinburg. Kryeministrja shpjegoi se kishte disa javë që e bluante vendimin për të ardhmen e saj.

"Natyra dhe forma e diskursit politik modern ka një intensitet shumë më të madh, guxoj të them brutalitet, sesa në vitet e shkuara".

Sturgeon e cila është edhe lidere e partisë pro pavarësisë, SNP do të mbetet në krye të qeverisë derisa të zgjidhet pasardhësi i saj. Ajo do të qëndrojë si anëtarë në parlament të paktën deri në zgjedhjet e ardhshme në Holyrood në maj 2026.

Ajo ka shërbyer nw qeveri që nga nëntori 2014, kur mori detyrën nga Alex Salmond pas referendumit të pavarësisë dhe është anëtare e Parlamentit Skocez që nga viti 1999.

Kryeministri Rishi Sunak falënderoi Sturgeon për "shërbimin e saj të gjatë" duke shtuar se qeveria e tij do të vazhdojë të punojë me qeverinë skoceze për "të mbështetur njerëzit në të gjithë Skocinë".

Mes emrave që po përfliten për të zëvendësuar Sturgeon janë John Swinney, zëvendësministri i pare që konsiderohet si favorit, sekretarja e financave Kate Forbes, Angus Robertson i cili më herët ka mbajtur role drejtuese në parti dhe Sekretari i shëndetësisë, Humza Yousaf.