I akuzuar prej 6 vitesh për korrupsion, Silvio Berlusconi shpallet i pafajshëm

Ish-kryeminsitri italian dhe lideri i Partisë Forza Italia është deklaruar i pafajshëm nga Gjykata e Milanos, në procesin “Ruby Iter”.

Së bashku me të dhe 28 persona të tjerë janë konsideruar të pafajshëm nga Gjykata Italiane, e cila ka rrëzuar akuzat për korrupsion dhe dëshmi të rreme me argumentet se “faktet e paraqitura nuk qëndrojnë”,

Në këtë mënyrë mbyllet një proces i gjatë mbi 6-vjeçar bazuar në dëshminë e 18 vajzave që merrnin pjesë në festat e organizuara nga ish-kreu i Qeveris së Italisë në rezidencën e tij në Arcore, dhe që tashmë janë hedhur poshtë nga Gjykata e Milanos.

Mbi këto akuza, nga ana e saj Prokuroria kishte kërkuar 6 vite heqje lirie dhe sekuestrimin e një pasurie me vlerë 10 milionë euro për një pjesë të personave të vënë nën hetim.

Sipas akuzës të rrëzuar tashmë, prej vitit 2011 e deri më 2015-ën, Silvio Berlusconi ka paguar rreth 10 milionë euro për vajzat e pranishme në këto festa, për të heshtur e mos rrëfyer të vërtetën përballë marrjes në pyetje nga Prokurorët italianë.

Procesi “Ruby iter”, nisi kur e reja me origjinë marokone, Kharima El Mahroug, e njohur me emrin Ruby, akuzoi ish-kryeministrin Berlsuconi për ngacmim seksual gjatë darkave elegante ne rezidencën e tij në Arcore.

Akt-akuza në atë kohë u bazua në dëshmitë e 18 vajzave të tjera të pranishme në këto festa, por sipas palës mbrojtëse dëshmia e tyre duhej të bazohej në deklaratat e marsit 2012, dhe akteve të regjistruara përballë avokatëve përkatës.

Pas këtij afati kohor, dëshmitë e vajzave nuk mund të konsiderohen dhe ky fakt ka çuar në rrëzimin e akuzës së korrupsionit mbi fakte gjyqësore.

Lajmi për pafajësinë e liderit të Forza Italia-s është përshëndetur edhe nga kryeministrja Giorgia Meloni që është shprehur se “pafajësia ndaj Silvio Berlusconit është një lajm i mirë që i jep fund një herë e përgjithmonë kësaj çështjeje gjyqësore që ka reflektuar dukshëm në jetën politike e institucionale të vendit”.

Dhe ministri i Jashtëm i qeverisë italiane, njëherësh zëvendës kryeministër dhe numri 2 i Partisë Forza Italia, Antonio Tajani, ka deklaruar sot se: “pas shumë vitesh dhimbje, sharje e polemika të kota, pafajësia e Berlusconit është një lajm i mirë”.

Menjëherë pas këtij vendimi, Partia Forza Italia ka propozuar ngritjen e një procesi hetimor parlamentar mbi përdorimin politik të Magjistruaturës gjatë këtij 25-vjeçari e betejave gjyqësore të përdorura si armë politike.

Prokurorët e procesit “Ruby Iter” kishin kërkuar gjithsej 100 vite burg për 29 të akuzuarit, mes të cilëve avokatë e miq të afët të Silvio Berlusconit.