Deputetët bashkohen me protestuesit, Baçi: Edi Rama s’do ia dalë për eliminimin e opozitës


Ndërsa kanë nisur incidentet në hyrje të Kuvendit të Shqipërisë, ku deputetët demokratë janë përplasur me rojet e gardës, pas refuzimit për t’i lejuar ligjvënësit e përjashtuar të hyjnë në seancë plenare, pak metra më larg ligjvënësit demokratë u bashkuan me protestuesit në sheshin para oborrit të Kuvendit të Shqipërisë.

Deputeti Luan Baçi në një foltore të improzuar i bëri thirrje Edi Ramës që të heqë dorë nga eliminimi i opozitës.

“Ai ka vendosur të mos e lejojë Partinë Demokratike të hyjë në zgjedhjet e 14 majit. Ne nuk do ta lejojmë një gjë të tillë.

I themi Edi Ramës: Hiq dorë nga skenari që ke përgatitur për eliminimin e opozitës! Hiq dorë nga përjashtimi i deputetëve! Hiq dorë nga uzurpimi që i ke bërë gjithë pushteteve!

PD-ja është këtu, demokratët janë këtu, do të jemi çdo ditë në protestë, nuk do të ndalojmë asnjë ditë”, deklaroi Luan Baçi.