Midis shahut dhe mjeksisë, njihuni me Eglantina Shabanaj , 14 herë kampione në shah
Eglantina Shabanaj , shahiste e stomatologe e shpallur 14 herë kampione në shah në një intervistë në emisioni "Jeto me Orën" në RTV Ora tregoi për dy zgjedhjet e saj për të cilat thotë se merr të njëjtën kënaqësi.
Së fundmi me një medalie ari në kampionatin kombëtar të shahut. Eglantina tregon se është marrë që në moshën 5 vjeçarë me shahun.
Eglantina Shabanaj: Në moshën 5 vjeçare luaja shah me babain, motrën. Filluam të bënim ca kampionate të vogla, më pëlqente shumë. Babi më mësi një mat me tre lëvizje dhe më vonë vijova. Duke punuar fort për shahun do të vijoj të kem arritje të tjera dhe nuk kam ër ta lënë asnjëherë. Shahu më ka dhënëq diplomaci, më ka bërë stratege, më ka dhënë mundësi tënjihem me kultura të ndryshme në shtete të ndryshme më ka dhënë dhe kënaqësinë e fitores. Më ka rritur profesionalisht dhe si stomatologe. Të luash shah ke një gjimnastikë të trurit në çdo lloj momenti.
Vendimi për të vazhduar për stomatologji si erdhi?
Eglantina Shabanaj: Gjimnazin e kam mbaruar me medalje ari. Mjeksia më ka pëlqyer gjithmonë. Dhe në shkollë mësoja shumë dhe vijoja paralel me shahun. Marr të njëjtën kënaqësi dhe kur bëj një dhëmb të bukur dhe kur fitoj një lojë shahu. Shkoj në konferenca e marr njohuri të reja. I shoh paralel të dyja fushat edhe sportin edhe stomatologjinë. Përkushtimi, serioziteti profesionalizmi të gjitha së bashku të bëjnë të jesh aty ku je.
Situata që kujton si të vështirë që keni kaluar?
Eglantina Shabanaj: Në olimpiada ku përfaqëson ekipin ka shumë emocione. Ke përgjegjësi të dyfishtë. Ka qenë një lojë me një shahiste gjeorgjiane që ka zgjatur 6 orë. Ka qenë një lojë e vështirë. Arrita ta fitoja në finale dhe ajo atë vit doli kampione bote, kishte vetëm humbjen time. Shahu një lëvizje është ajo që ta kthen rrjedhën e lojës. Ka pasur dhe gara që jam mërzitur nga një sëmundje dhe kam thënë se nuk do të luaj më.
