Homazhet për Goce Dellçev, rrezik për trazira në Shkup/ Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria, përplasje për figurën historike
Tensioneve mes Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë, është përplasja që kanë për figurën historike Goce Dellçev, për të cilin të dy vendet kanë pretendimet e tyre. Homazhet për 151 vjetorin e lindjes, po zhvillohen në Shkup mes frikës për trazira.
Në Shkup po zhvillohen në masa të forta sigurie aktivitetet për 151-vjetorin e lindjes së Goce Dellçevit, figurë historike për të cilën kanë pretendime edhe Maqedonia e Veriut edhe Bullgaria. Dellçev ka udhëhequr një rezistencë maqedono-bullgare kundër Perandorisë Osmane në periudhën e vitit 1900.
Për shkak të frikës për incidente, rrugët që çojnë te varri i Dellçevit, në Kishën e Shën Spasit, janë bllokuar nga forcat speciale të policisë, ndërsa lejohen të kalojnë vetëm delegacionet, personat e akredituar për ngjarjen.
Delegacione të Presidencës maqedonase, qeverisë, zyrtarë të tjerë, politikanë dhe shoqata qytetare, kanë vendosur lule mbi varrin në Kishën e Shën Spasit.
Ministri i brendshem Oliver Spasovski, tha se masat shtese janë marrë për shkak të rrezikut të incidenteve nga struktura radikale. Sipas tij asnjëherë më parë nuk ka pasur tensione të tilla si tani. Një grup bullgarësh synojnë të jenë në këtë manifestim, ndërsa eurodeputeti Angel Xhambaski, i njohur për retorikën e tij nacionaliste, ka kërcënuar presidentin maqedonas, Stevo Pendarovski, duke kujtuar atentatin ndaj ish-mbretit serb, Aleksandar Karagjorgjeviq. Nga Sofja në këtë ceremoni marrin pjesë ministri i brendshëm bullgar, Ivan Demerxhiev dhe zëvendësi i tij Vençisllav Katinov, do të vendosin gjithashtu lule në varrin e Dellçevit në Shkup.
Me një pankartë me mbishkrimin “Goce është Maqedoni” në manifestim ka marrë pjesë edhe një delegacion i partisë maqedonase në opozitë, VMRO DPMNE.
Kryetari, Hristijan Mickoski, tha se nuk është kundër që Goce Dellçevi të përkujtohet dhe nga shtetas të Bullgarisë, por vetëm si “revolucionar maqedonas”.
Tensionet mes Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë, janë rritur në nëntor të vitit të kaluar kur pjesëtarë të pakicës bullgare në Maqedoninë e Veriut, hapën në Manastir dhe Ohër, klube bullgare me emrat: “Car Borisi i Tretë” dhe “Vanço Mijallkov”, të cilët kanë sunduar Bullgarinë në periudhën e Perandorisë Osmane, me synimin e “bashkimin e tokave maqedonase me Bullgarinë”.

