Franca në grevë kundër rritjes së moshës së pensionit, mbyllen shkollat dhe transporti

Në Francë ,shkollat ,transporti publik dhe rafineritë e naftës u paralizuan këtë të martë nga greva kombëtare. Sindikatat nisën një valë të re protestash, këtë herë, kundër rritjes së moshës së daljen në pension, por presidenti Macron thotë se nuk ka ndërmend të tërhiqet

Franca është përfshirë nga një grevë mbarëkombëtare. Kjo është vala e dytë e protestave kundër planeve të presidentit Emanuel Macron për të rritur moshën e daljes në pension nga 62 në 64 vjeç.

Aktiviteti është paralizuar në shkolla, në transportin publik dhe në rafineritë e naftës, pasi tetë sindikatat me të medha në vend pezulluan punën dhe dolën në rrugë kundër reforamve të Macron. Organizatorët bënë me dije se thirrjes për protesta ju përgjigjën gjysma e mësuesve në të gjithë vendin.

Gjithashtu u bllokua qarkullimi në linjat hekurudhore në Paris. Ndërsa termocentralet raportuan ulje të prodhimit pasi punëtorët braktisën kompaninë kryesore të energjisë elektrike. Qeveria e Macron nuk e ndali reformen në skemën e pensionit dhe do ta kalojë atë javën e ardhshme në Asamblenë Kombëtare, pavarësisht se sondazhet treguan se dy të tretat e votuesve janë kundër ndryshimeve.

Pa një shumicë në parlament, qeveria do të duhet të mbështetet tek republikanët e krahut të djathtë për të marrë votat e nevojshme.

Lideri i ekstremit të majtë, tha se Franca ishte në një pikë vendimtare dhe parashikoi një numër edhe më të madh protestuesish sesa në ditën e parë të aksionit që nisi më 19 janar.

Protestat janë organizuar në 200 qytete dhe rreth 11,000 policë raportohet të monitorojnë tubimet. Perveç manifestimit kryesor në Paris, pjesëmarrje të mëdha u raportuan në Toulouse, Marseille dhe Nice në jug, dhe në Nante në perëndim.

Aktualisht mosha 62 vjeç e daljes në pension në Francë është më e ulët se shumica e vendeve të tjera në Evropën Perëndimore. Italia dhe Gjermania e çuan moshën e penisonit në 67 vjeç, Spanja në 65 vjeç dhe Mbretëria e Bashkuar në 66 vjeç.

Në Francë, shumë pak punëtorë kanë pensione personale të lidhura me investimet kapitale. Vetëm 1.7 punëtorë paguajnë në fondin e përbashkët të pensioneve për person.