Ndryshon ligji në provincën kineze pas rënies së popullsisë, të pamartuarit mund të bëjnë fëmijë
Provinca jugperëndimore e Kinës, Sichuan, do të heqë kufizimet për personat e pamartuar për të pasur fëmijë, pjesë e një përpjekjeje më të gjerë të qeverisë për të rritur shkallën e lindshmërisë në rënie të vendit.
Ndryshimi i politikës erdhi pasi popullsia e Kinës u tkurr vitin e kaluar për herë të parë në më shumë se gjashtë dekada, duke shënuar një moment historik në thellimin e krizës demografike të saj.
Aktualisht, qeveria e Sichuan lejon vetëm çiftet e martuara të regjistrojnë lindjet deri në dy fëmijë.
Duke filluar nga 15 shkurti, të gjithë qytetarët – përfshirë edhe prindërit e pamartuar – mund të regjistrojne pa kushte numrin e fëmijëve të tyre.
Në Kinë, regjistrimi i lindjes kërkohet shpesh që prindërit të kenë përfitime të tilla si sigurimi i lehonisë. Është gjithashtu e nevojshme për të marrë një dokument regjistrimi të familjes, ose hukou, që u jep fëmijëve akses në mirëqenien sociale, si kujdesi shëndetësor dhe arsimi.
Komisioni shëndetësor provincial i Sichuan tha në një deklaratë se duke hequr kufizimin e martesës, masat e reja e zhvendosën fokusin e regjistrimit të lindjeve në "dëshirën dhe rezultatet e lindjes së fëmijëve".
Një zyrtar nga komisioni shëndetësor i Sichuan tha për mediat lokale se politika kishte për qëllim të mbronte të drejtat e nënave beqare dhe jo të inkurajonte të pamartuarit të bëhen prindër. Në njoftimin e komisionit thuhej se politika do të nxiste “zhvillimin afatgjatë dhe të balancuar të popullsisë”, citon CNN.
