Skandali “Katargate”, Panzeri “ka dhënë” emra, lirohen gruaja dhe vajza e tij
Gjykata e Apelit të Breshias vendosi të lirojë vajzën dhe gruan e Antonio Panzerit, Silvia Panzeri dhe Maria Dolores Colleoni, të cilat ishin në arrest shtëpie.
Ndryshimi i masës së sigurisë vjen pas vendimit të prokurorisë belge për tërheqjen e kërkesës së tyre për ekstradim nga Italia, por edhe pas bashkëpunimit të ngushtë të Antonio Pantzerit me prokurorët e Brukselit.
Me vendimin e sotëm, Gjykata e Apelit të Breshias anulon vendimin në favor të ekstradimit të dy grave në Belgjikë.
Dje mediat italiane raportuan se Prokuroria e Brukselit do të tërhiqte kërkesën për ekstradimin e dy grave nga Italia në Belgjikë.
“Ndryshimi i qëndrimit, sipas avokatëve mbrojtës të Silvia Panzerit dhe Maria Dolores Colleoni, është konstatuar nga një dokument zyrtar, i cili është shpërndarë në orët e mëparshme”, shkruan gazeta La Stampa.
Avokatët e Silvia Panzerit kanë bërë të ditur se kanë apeluar në Gjykatën e Lartë të Italisë kundër vendimit të Gjykatës së Apelit të Breshias për ekstradimin e klientes së tyre në Belgjikë.
Vendimi lidhur me ekstradimin e vajzës dhe gruas së Panzerit pritet më 31 janar. Megjithatë, nëse zyrtarisht konfirmohet ndryshimi i qëndrimit të prokurorëve belgë, kjo do të thotë se procedura tashmë është pa qëllim.
“Do të duhet të shohim nëse ky vendim nënkupton lirimin e Silvia Panzerit dhe Maria Dolores Colleoni”, tha njëri nga dy avokatët mbrojtës të të afërmve të Panzerit. Kujtohet se dy gratë ndodhen në arrest shtëpie në veri të Italisë.
Sipas shtypit italian, ky zhvillim mund të lidhet me vendimin e Antonio Panzerit për të bashkëpunuar, si i “penduar”, me drejtësinë belge.
Pozicioni i Kailit bëhet gjithnjë e më i vështirë
Edhe nëse marrëveshja e Panzerit me autoritetet belge ka ndikuar pozitivisht në fatin e vajzës dhe gruas së tij, e njëjta gjë nuk është e vërtetë për Eva Kailin. Pozicioni i eurodeputetes greke po bëhet gjithnjë e më i vështirë në rastin e ryshfetit të politikanëve dhe aktorëve evropianë nga Katari.
Eva Kaili mbetet në burg pas vendimit të Këshillit Paraprak për vazhdimin e paraburgimit, ndërsa nuk dihet nëse Panzeri do të flasë edhe për përfshirjen e saj në këtë çështje.
Në bazë të memorandumit "Panzeri-Prokuroria belge", ish-deputeti do të dënohet me një vit burg, gjobë dhe konfiskim të pasurisë së përfituar, vlera e të cilave aktualisht llogaritet në 1 milion euro.

